10 këngë për tu kujtuar nga Vaçe Zela

Le ta nisim këtë retrospektivë të kësaj jave me këngën “Lemza”. Kjo këngë mbetet një nga ato hitet që shqiptarët e këndojnë shpesh, këngëtarë të ndryshëm sjellin versione të ndryshme, për të na përcjellë emocionin e një dashurie ku lemza pengon fjalët.

Një artiste e madhe si Vaçe Zela nuk ka se si mos ta ketë në bagazhin e saj një këngë kushtuar gjyshes. Një nga pionieret e muzikës shqipe, Zela tregon më së miri dashurinë për gjyshen, asaj që ia prishim qejfin ndonjëherë, të gjithë ne.

Për këngën “Sot jam 20-të vjeç” mund të themi se prodhon vetëm emocionin e bukur dhe nostalgjinë për një kohë kur Vaçe Zela e solli me aq hare këtë kompozim. Dhe nëse është një artiste e cila ka ditur ti japë shpirt të 20-tave, ti japë jetë e vrull dashurisë dhe kësaj moshe ku çdo gjë arsyetohet, është padyshim artistja e popullit, Vaçe Zela.

Ja shiu pik, pik,pik,pik,
Bjen në rrugë , troket ai pa pushim
E ora tik-tak, tik-tak
Shkon e djali pret me padurim
O zemra tak-tak tak-tak
Pse tash nis me rrah’ me kaq nxitim
Mendon djaloshi që po pret në shi me ankth e me gëzim

Disa interpretime të Vaçe Zelës ndër vite kanë humbur, por disa të tjera kemi fatin ti kemi ende. Shembull, kënga “Moj e bukura Arbëri” e sjellë Vaçe Zelën me kitarë, në këtë performancë. Zela është e vetmja këngëtare shqiptare që ka fituar gjithsej 11-të herë Festivalin e madh të Radio Televizionit Shqiptar. Ndër vite, ajo ka sjellë edhe bashkëpunime dhe ka fituar me këngë që gjenden edhe në këtë listë.

Në vitin 1980, Vaçe Zela do të triumfonte edhe njëherë në Festivalin e TVSH-së, me këngën “Shoqet tona ilegale”, kompozim i Agim Prodanit dhe tekst i Zhuliana Jorganxhi. Asokohe u bë bujë mes kësaj kënge dhe asaj nga Alida Hisku, por triumfi qëndroi mbi Vaçen.

KultPlus, si për shumë artistë, edhe në këtë Retrospektivë e ka të vështirë të arrijë në një dhjetëshe. Kjo bëhet më e fuqishme kur bëhet fjalë për ta përkthekuar karrierën e Zelës. Megjithatë, derisa kujtojmë Zelën gjithmonë na pasqyrohet e qartë kënga “Rrjedh në këngë e ligjërime”. Nuk ka as kontestim që kjo këngë është Himni Kombëtar i të gjithë shqiptarëve kudo ku janë ata.

Kënga “Fëmija i parë” është kënduar nga Vace Zela në vitin 1962, kur ajo ishte vetëm 23 vjeçare.

“Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarin e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë.”. Këto fjalë i ka thënë shkrimtari Dritëro Agolli, për Vaçe Zelën. E këtu e rikujtojmë dhe e dëgjojmë prapë “Valsin e lumturisë”, nën zërin e Vaçe Zelës.

E mbyllin Retrospektivën e kësaj jave me “Kur bjen fyelli çiftelia”, për të kërkuar më shumë lumturi në këtë botë e për të mos i harruar asnjëherë legjendat e muzikës shqipe, si Vaçe Zela, që kanë dhënë jetën e tyre për muzikën dhe atë e kanë prodhuar në vlerat më të larta artistike.