100 mijë euro shpërblim për “kokën” e terroristit të Berlinit

Autoritetet gjermane dyshojnë se terroristi i identifikuar me emrin Anis Amri, që sulmoi në një treg objektesh dekorative në Berlin, mund të jetë jetë larguar nga Gjermania menjëherë pas tragjedisë.

Lajmi është konfirmuar nga mediat të cilat duke cituar burime konfidenciale, theksojnë se prokurorët ende po mundohen që të zbulojnë se çfarë drejtimi ka marrë 23-vjeçari me origjinë nga Tunizia.

Autoritetet kanë kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve për të gjetur e më pas arrestuar të shumëkërkuarin, teksa është premtuar edhe një shpërblim prej 100 mijë eurosh për këdo që do të japë informacion të saktë për vendndodhjen e Anis Amri.

Policia gjermane u ka bërë edhe njëherë thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm dhe vigjilentë, pasi agresori mund të jetë ende i armatosur dhe i gatshëm për të sulmuar sërish.

Anis Amri ishte një shtetas tunizian, i cili kishte mbërritur në Gjermani nga Italia në vitin 2015.

Ai kishte aplikuar për azil dhe i ishte dhënë një leje e përkohshme qëndrimi deri sa të shqyrtohej plotësisht kërkesa.

Kjo ngjarja ka rritur edhe më tej pakënaqësinë e shfaqur nga një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve gjermanë, të cilët kanë nisur të kundërshtojnë të ashtëquajturën politikën e dyerve të hapura për emigrantët, që është aplikuar përgjatë viteve të fundit nga kancelarja Angela Merkel.

Ndërkohë më herët të tjera detaje dolën në dritë. Anis Amri kishte qëndruar për një periudhë të gjatë kohore në një banesë me një shtetas serb 36-vjeçar të quajtur Boban S.

Ky i fundit është arrestuar mbi akuzën e rekrutimit të të rinjve për llogari të Shtetit Islamik.

Për këtë arsye, po hetuesit janë duke investiguar mundësinë që sulmi të jetë kryer përmes një planifikimi në grup.

Në ngjarjen tragjike që ndodhi mbrëmjes e së hënës humbën jetën 12 persona, ndërkohë që mbetën të plagosur 48 të tjerë.