Besart Berisha hyn në histori pas golit rekord

Në okazionet më të rëndësishme janë gjithmonë emrat më të mëdhenj që marrin të gjitha përgjegjësitë, sikurse dhe dritën e proxhektorëve, dhe në fund zgjidhin situatat e ndërlikuara. Kështu ka ndodhur në këtë vigjilje të Krishtlindjeve në Australi, teksa në derbin e Melbourne, Vitory ka fituar me përmbysje ndaj City. Një fitore kjo e vendosur nga ish-sulmuesi i përfaqësueses së Shqipërisë, Besart Berisha, falë golit të tij të realizuar 12 minuta para përfundimit të takimit. Një gol për një fitore në derbi, për të vijuar garën dhe luftën për kreun e klasifikimit, por mbi të gjitha për të barazuar rekordin e golashënuesit më të mirë në historinë e kampionatit Australian, “A-League”. Besart Berisha realizoi golin e fitores 1-2 ndaj Melbourne City në minutën e 78’, duke regjistruar kështu golin e tij të 9 sezonal në këto 10 javë të zhvilluara dhe të 90-tin personal në aventurën e tij 6-vjeçare në kampionatin australian “A-League”. Në kuotën e 90 golave, Berisha ka barazuar rekordin e numrit më të madh të golave të realizuar në A-League gjatë historisë së futbollit Australian, që mbahej nga Archie Thompson. Kjo fitore ndaj një rivali sa historik, po aq edhe direkt, bën që Melbourne Victory, me një ndeshje më pak se kundërshtarët, të ngjiten në vend të dytë të klasifimit, në kutën 20 pikë, me dy pikë epërsi ndaj Melbourne City dhe 7 pikë larg Sidney në vend të parë.