18-VJETORI, PËRKUJTOHEN TË MËDHENJTË E UÇK-SË, FEHMI E XHEVË LLADROVCI

Nesër (e enjte), në orën 11:00, në fshatin Shkabë të Drenasit do të mbahen homazhe në nderim të përvjetorit të rënies heroike të heroit të kombit, gjeneralit Fehmi Lladrovci dhe bashkëshortes e bashkëluftëtares së tij, heroinës së kombit Xhevë Lladrovci si dhe të rënëve të tjerë, dëshmorë të kombit të Brigadës 114 të UÇK-së, “Fehmi Lladrovci”.

Çifti Fehmi e Xhevë Lladrovci, që ishin ndër figurat më eminente të organizimit dhe të luftës për liri në Kosovë, ranë më 22 shtator të vitit 1998, në një betejë të vështirë e të pabarabartë me forcat serbe, pas një qëndrese heroike. Bashkë me ta ra edhe studentja Fatime Hetemi dhe shumë dëshmorë të tjerë.