36-vjeçari shqiptar helmon skifterin me pëllumbin ‘kamikaz’, rrezikon 11 muaj burg dhe ‘super’ gjobë

Prej disa vitesh në kantonin e Cyrihut janë duke u mbytur me qëllim skifterët shtegtarë. Rasti më i njohur është ai i regjistruar nga kamerë mbi oxhakun e impiantit për djegie të mbeturinave në Cyrih, ku tregohet vdekja e dhimbshme e një skifteri të tillë, femër, shkruan tagesanzeiger.ch. Ndërkohë, është konstatuar se skifteri kishte ngrënë një pëllumb të lyer me një materie me helm të fortë. Ekspertët thonë se bëhet fjalë për pëllumbat e ashtuquajtur “kamikazë” (vetëvrasës), të cilët shfrytëzohen si karrem për të mbytur skifterin që është nën mbrojtje të rreptë të ligjit, transmeton albinfo.ch. Pas hetimeve intensive, autoritetet kanë zbuluar se një kosovar 36-vjeçar, kultivues amator i pëllumbave, është një urrejtës i tillë i skifterëve të përmendur. Pra, ai dyshohet të jetë vrasësi i skifterit përmes pëllumbit të tij kamikaz për çfarë po zhvillohet procesi gjyqësor para Gjykatës së Qarkut në Bülach të Cyrihut.

Prokuroria akuzon kosovarin se në mars të vitit 2016 i ka vendosur një pëllumbi të tij helmin e përmendur në qafë dhe në pjesën e gjoksit. Pastaj e ka lëshuar atë të fluturojë në mënyrë që të sulmohet nga skifteri. Por, sipas akuzës, pëllumbi është kapur para se të bëhet viktimë e ndonjë skifteri shtegtar ose ndonjë zogu tjetër grabitës. Në mënyrë që pëllumbi i përdorur si karrem të mos kthehej sërish te tufa e pëllumbave, ai e ka mbyllur kotecin e tyre. Prokurorja e çështjes ka kërkuar dënim me 11 muaj burg me kusht dhe një gjobë prej 1500 frangash si dhe pagesën e shpenzimeve procedurale prej 8000 frangash. Të gjitha këto për veprën penale torturim të kafshëve. Ajo po ashtu e ngarkon kosovarin se në kotecin e tij ka mbajtur nëntë pëllumba mbi numrin e lejuar prej 63. Kosovari, ashtu sikurse edhe një qytetar i Maqedonisë, i dënuar më parë, i takojnë një grupi special të pëllumbaxhinjve, atij që kultivon pëllumba fluturues, specializim ky i pranishëm më tepër në mesin e njerëzve nga Ballkani. Ata bëjnë gara në fluturim. Në Zvicër janë më të shpeshtë ata që kultivojnë pëllumba postierë.

Në disa forume interneti kërkohet nga kultivuesit e pëllumbave “fluturues serbë” t`u shpallin luftë shpendëve grabitqare. Sipas Policisë së Kantonit të Cyrihut gjatë vitit 2015 në këtë kanton janë gjetur gjashtë zogj grabitqarë të mbytur, që mendohet të jenë helmuar. Në raste të ngjashme janë gjetur pranë skifterit të vdekur kanë gjetur edhe pëllumba të helmuar.
/BW