4 qytetarë bllokohen çdo ditë në ashensor. Si të veproni kur merr flakë

Rasti i incidentit në ashensor që i mori jetën një nëne 30 vjeçare nuk është i vetmi në kryeqytet. Mesatarisht 3 deri në 4 raste në ditë zjarrfikësit marrin telefonata dhe asistojnë në bllokimin e në kabinave të ashensorëve në zona të ndryshme të Tiranës. Vetëm në 20 ditët e para të janarit shërbimi zjarrfikës i Tiranës ka asistuar në 134 raste shpëtimi në emergjenca të ndryshme.
Sipas komandantit të rajonit Nr.3 të zjarrfikësve në Tiranë Arben Cara, pikat më problematike në kryeqytet mbeten pallatet brenda unazës por dhe zona e freskut. Ndërsa shkak për problemet me ashensorin janë luhatjet e tensionit si edhe mosmirëmbajtja e tyre. Cara jep dhe disa këshilla për qytetarët të cilët në rast emergjence të mos kapen nga paniku dhe shtypin të gjithë butonat e ashensorit pasi kjo e bllokon atë.

I vetmi buton që duhet shtypur është ai i alarmit. Ai apelon se çdo dalje për në tarracë duhet të jetë e hapur pasi në të kundër gjithë pallati rrezikon të asfiksohet. Në rast zjarri në kryeqytet nga pala e dëmtuar gjithmonë ka pasur pretendime se zjarrfikësit kanë mbërritur me vonesë. Por, komandanti Cara sqaron se shkak për këtë nuk është gatishmëria e shërbimit zjarrfikës por rrugët e ngushta dhe parkimet e gabuara të mjeteve.