Të lindësh është e vështirë, por momenti kur mban fëmijën në krahë për herë të parë, i lë pas të gjitha dhimbjet. Megjithatë, një nëne të re iu desh të paguante që të mund të mbante në krahë fëmijën që sapo kishte sjellë në jetë.

“M’u desh të paguaja 40 dollarë që të mbaja në krahë fëmijën që sapo kisha lindur”, shkroi ajo në rrjetin social Reddit duke ngjallur polemikë mbi kostot e lindjes. Gruaja publikoi faturën e maternitetit, ku në listën e shërbimeve përfshihej edhe “kontakti lëkurë me lëkurë pas operacionit çezarian”, që do të thotë, mbajtja e fëmijës në krahë me çmimin 40 dollarë.

Kjo shkaktoi shumë konfuzion, ndonëse një mami shpjegoi çfarë kuptimi ka në të vërtetë “lëkurë më lëkurë”: “Nuk e dija se duhet të paguash edhe për këtë, por kur mban fëmijën në krahë kërkohet kujdesi i një mjeku, i cili duhet të jetë i pranishëm që të kontrollojë fëmijën. Megjithatë, nuk është e zakonshme që për këtë shërbim të shkurtër të paguash.”

Sipas saj, edhe nëna kërkon kujdesin e nevojshëm pas një lindjeje çezariane, pasi ekziston rreziku i hemorragjisë, humbjes së ndjenjave, ose mund t’i përzihet. Për këtë, është mirë që një mjek të qëndrojë mbi kokë kur ajo e merr fëmijën në krahë.

Sidoqoftë, fakti që tani duhet të paguash 40 dollarë për këtë tregon se vlera e lindjes së një fëmije po rritet përherë e më shumë, duke shtuar tarifa edhe për shërbime fare të zakonshme, që më parë përfshiheshin në pagesën e lindjes./ Glamour