7 arsye pse i duam kaq shumë nënat shqiptare

Nuk e dimë nëse nënat në të gjithë botën janë kaq të mira, po nënat shqiptare kanë një gjë që na ‘tret’ shpirtin. Përpos faktit që kanë faqe të buta që mbajnë era sapun, dhe me siguri nuk keni dëgjuar as keni për të dëgjuar një fjalë të mirë (të thënë në sy) nga goja e tyre, sërish ne e dimë që na duan dhe do bënin gjithçka për lumturinë tonë, edhe duke luajtur atë kartën e vetësakrifikimit që po aq sa na llaston, edhe e urrejmë. Më poshtë ju rendisim të gjitha arsyet që i bëjnë mamat tona kaq speciale dhe të adhurueshme dhe të dashurueshme!

1. Gatuajnë. SHUMË.

Kot nuk thonë ‘dashuria vjen nga stomaku’. Nëse ka një arsye pse nënat janë të pazëvendësueshme është se plotësojnë çdo tekë të stomakut tonë, në çdo orë të ditës. Të gjithë ata që nuk jetojnë me prindërit, e dinë mirë rëndësinë e gjellës së ngrohtë në shtëpi. Dhe ajo nuk mungon kurrë kur ikim te mami dhe babi! Madje të serviret një menu e plotë, më e pasur se ajo e restoranteve. Dhe mos guxo të kujtosh me neps ndonjë ushqim, se jo vetëm do ta gjesh në tavolinë dy orë më pas, po do ta kesh përpara syve çdo ditë të javëve në vijim.

2. Vetë mund të vazhdojë të veshë bluzat e para 90-ës, por ti jo
“Ç’më duhen mua mami, unë në shtëpi po rri. Merre ti, ti je e re.” S’e dimë sa herë mund ta kemi dëgjuar këtë shprehje sa herë i themi mamit të blejë një fustan kur dalim për shopping. Dhe pavarësisht se e duam shumë dhe duam ta blejë atë fustan, thellë brenda vetes e dimë që ne na duhet më shumë. Sepse ne jemi egoiste dhe nuk e dimë ç’do të thotë të vendosësh dikë tjetër përpara vetes!

3. Do vazhdojë të kujdeset për ty si të ishe fëmijë edhe kur të shkosh 30 vjeç!
Ti mund të kesh nisur të përdorësh të njëjtin krem rrudhash si mami, por ajo do vazhdojë të të vijë para-mbrapa me atë gotën e çajit kur të jesh sëmurë, dhe do të hyjë në dhomë për të kontrolluar nëse je zbuluar apo ke temperaturë (ne s’po qajmë, ti po qan).

4. Mund t’i tregosh gjithçka dhe nuk do t’i thotë babit
Ajo mund të dijë gjithçka, do të mbajë mend çdo emër apo informacion sado të parëndësishëm që ia ke thënë në nërva e sipër pas shkolle në klase të katërt dhe nëse i ke treguar për dikë që të pëlqen, përgatitu të pyetesh rreth tij çdo ditë të mbetur të jetës tënde. Edhe nëse ndahesh. Sepse ajo që i bën nënat tona edhe më të adhurueshme është fakti se gradualisht po mësohen me faktin që njerëzit ndahen, edhe pse fillimisht lëviznin vendit vetëm nga ideja.

5. Mami është siguria më e madhe në jetë
Vetëm kur dalim në jetë kuptojmë pse nënat janë aq posesive dhe përpiqen të na mësojnë dhe mbrojnë nga gjithçka. Një përbindësh me 5 kokë mund të na qepet nga mbrapa dhe mami do ta smbrapsë me një shikim therës, një mallkim alla shqiptar dhe një garuzhde. Dhe atij nuk do t’i shkojë më mendja të kthehet.

6. Na mëson truket më të rëndësishme në jetë
Sikur të na jepnin para sa herë të dëgjonim shprehjen ‘Nuk të pranon vjehrra në shtëpi me këto sjellje’. Nënat tona na mësojnë që në bark si të bëhemi nuse të mira, si të pastrojmë shtëpinë, si të gatuajmë, si ‘t’i hamë kokën me të mira’ burrit dhe si duhet të bëjmë një sy qorr e një vesh shurdh në raport me vjehrrën. Dhe ç’është më e tmerrshmja, nuk e dëgjojmë kurrë deri në momentin që mbin burri nga asgjëja.

7. Ajo s’do të ta thotë kurrë një fjalë të mirë, që ‘mos të të hipë vetja në qejf’
Vetëm nëse ke shpikur një raketë, i vetmi moment që ti mund të dëgjosh një fjalë të mirë nga mami është nëse po shqyrton vetëvrasjen nga ato aknet që të kanë mbirë në fytyrë. “Po jo me mami se i ke nga mosha, goca si yll i fut vetes halle kot.” Në të kundërt, vajza e filanit do jetë gjithmonë një hap përpara teje./anabel