7 te vdekur nga virusi i gripit

Rritet numri i viktimave të prekur nga virusi i gripit që ka “pushtuar” të gjithë vendin.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në total janë 7 viktima që rezultojnë të prekur nga ky grip.

Sipas lajmërimit të MSH, dy të moshuara, përkatësisht një në Vlorë dhe një në Korçë kanë ndërruar jetë dhe sipas analizave u vërtetua se ishin të prekura nga gripi i stinës.

Ndërkohë po sot u komunikua se një fëmijë vetëm 3 vjeç në Lezhë ka ndërruar jetë nga gripi.

Lajmërimi i MSH:

Ministria e Shëndetësisë informon se:

Pacientja S. S., 82 vjeç, banuese në Vlorë, shtruar në shërbimin infektiv, dhe më tej në reanimacionin e spitalit rajonal të Vlorës në datë 01/01/2017, me diagnozë, “Insufiçencë multiorganore, post-gjendje febrile,” ka ndërruar jetë në datë 14/01/2017. Mostrat e ekzaminuara nga Instituti i Shëndetit Publik konfirmojnë se pacientja ishte e prekur edhe nga virusi i gripit stinor A.

Pacientja V. B., 71 vjeç, banuese në Korçë, e shtruar në spitalin e Korçës më datë 09.01.2017, me diagnozë: “Insufiçencë multiorganore, Meningoencefalit, Sëmundje Renale akute, Pneumoni masive sinistra”, ka ndërruar jetë në orët e mbrëmjes së datës 16.01.2017. Mostrat e ekzaminuara nga Instituti i Shëndetit Publik, konfirmojnë se pacientja ishte e prekur edhe nga virusi i gripit stinor A.

Arrin në shtatë, numri i rasteve të konfirmuara, pas dy rasteve të raportuara në dt. 05/01/2017, atij të datës 11/01/2017, rastit të datës 13/01/2017 dhe rastit të mëngjesit të sotshëm (dt. 17/01/2017), nga Ministria Shëndetësisë për persona që kanë ndërruar jetë, të cilët, përveç sëmundjeve të tjera, kanë rezultuar të prekur edhe nga virusi i gripit të stinës A./mapo