84 DEPUTETË KANË ARMË ME LEJE

Dy të tretat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës bartin armë me leje. Ky numër do të përbënte kuorum të mjaftueshëm edhe për ndryshime kushtetuese. Këta deputetë janë pajisur me armë nga Ministria e Punëve të Brendshme. Në këtë Ministri nuk ofrojnë të dhëna me arsyetimin se lejet për armë janë dokumente të klasifikuara. Numri total i lejeve për armë të shkurtra është 320.

84 deputetë kanë armë me leje

Shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës janë të armatosur me armë.  84, nga 120 deputetë sa ka Kuvendi, kanë armë me leje.

Bazuar në Ligjin për armë dhe procedurat e pajisjes me të, këta deputetë e kanë jetën në “rrezik”.

Insajderi ka mësuar numrin e saktë të deputetëve që bartin armë të shkurtra me leje të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Pajisjes me armë më leje i paraprin një proces verifikimi dhe vlerësimi të nivelit të rrezikshmërisë. Këtë vlerësim e bën një njësi e posaçme e Policisë së Kosovës.

Burime brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme i kanë treguar Insajderit numrin e deputetëve që kanë armë me leje. Burimet kanë thënë se armë bartin edhe një numër i madh ministrash, zëvendësministrash, këshilltarësh e kryetar partisë politike.

“Aktualisht armë me leje kanë më shumë se gjysma e deputetëve. Pajisja me leje është bërë nga MPB-ja. Megjithatë, deputetëve nuk u takojmë leje për bartje në brez të armëve. Se si janë pajisur me to, është çështje tjetër”, ka thënë një burim zyrtar për Insajderin në kushte anonimiteti.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë refuzuar të ofrojnë të dhëna se sa zyrtarë shtetërorë kanë leje për bartje të armëve. Kanë thënë se numri total i lejeve është 320.

Në MPB thonë se të gjithë ata që kanë armë me leje, i plotësojnë kushtet për to.

“Lista e personave të cilët kanë leje për armëmbajtje nuk ndahet në persona zyrtarë ose jo. Të gjithë ata të cilët kanë leje, janë qytetarë të Kosovës dhe  i plotësojnë kushtet e kërkuara për këtë leje”, ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Rroksana Qarri.

Ministria e Punëve të Brendshme është arsyetuar se nuk mund të ofrojë të dhëna për personat e pajisur me leje për armë, me arsyetimin se janë dokumente të klasifikuara.

“Në lidhje me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se nuk mund të japim të dhëna për emrat dhe pozicionet e mbajtësve të këtyre lejeve. Lista me këto të dhëna është e klasifikuar dhe ne nuk mund të publikojmë përmbajtje nga kjo listë”, ka thënë Qarri. “Sa i përket numrit të përgjithshëm të lejeve për armëmbajtje, ju njoftojmë së aktualisht janë rreth 320 leje valide”.

Ligji për armët në Kosovë është miratuar në nëntor të vitit 2009. Ai specifikon në detaje se kush mund të bartë armë. Procedurat për pajisje me armë të personave fizik janë të rregulluara me akte nënligjore.

Neni 7 i këtij ligji thotë se të gjithë ata që kanë mbushur 21 vjet, kanë aftësi të plotë ligjore për veprim; posedojnë aftësi fizike dhe psikike dhe janë të aftë të posedojë apo mbajë armë zjarri; nuk paraqesin rrezik për rendin publik; kanë shkaqe të arsyeshme për blerjen e armës së zjarrit; kalojnë testin teorik dhe praktik i cili vërteton njohuritë teknike për përdorimin, ruajtjen dhe mirëmbajtjen e duhur të armës së zjarrit dhe njohuri për dispozitat ligjore për armët; janë shtetas i Republikës së Kosovës ose të huaj, me qëndrim të përhershëm të lejuar në territorin e Republikës së Kosovës; paraqesin dëshminë që nuk janë nën hetime penale,  mund të pajisen me leje për armë.

Ligji ua mundëson të gjithë shtetasve të Kosovës të pajisen me armë për gjueti apo armë të shkurtra për t’i mbajtur në shtëpi. Por, për bartjen e armës, personi “duhet të jetë i rrezikuar”, ose të ketë qarkullim vjetor mbi 30 mijë euro.