A do e kthejnë humbjen në fitore shqiptarët në Maqedoni?

Nga Marjana Doda

Në zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit në Maqedoni shqiptarët humbën si kurrë ndonjëherë më parë. Ndonëse janë popullsia e dytë shtetformuese, jo vetëm që ndër vite nuk janë ndjerë si të tillë, por se fundmi pësuan dhe humbjen e së drejtës legjitime për t’u përfaqësuar me një numër më të madh deputetesh, në raport me numrin e popullsisë (me rreth 26% të popullsisë këtij shteti), duke humbur rreth 8 mandate.

Gjithçka ndodhi se elektorati shqiptar ndjeu lodhje dhe zhgënjim nga përfaqësimi politik i lidershipit të tyre. Në historinë 25- vjeçare të krijimit të shtetit maqedonas, shqiptarët janë përfaqësuar nga tre parti politike, me PPD të Nevzat Halilit, PDSH të të ndjerit Arbër Xhaferi (së fundmi me drejtues Menduh Thaçi, i cili dha dorëheqjen nga kjo parti) dhe BDI të Ali Ahmetit.

Më 11 dhjetor 2016 shqiptarët e ndanë votën në 5 parti politike; BDI, Lëvizja Besa, Aleanca për Shqiptarët, PDSH dhe për herë të parë për një parti maqedonase, tek Lëvizja Social Demokrate(LSDM), duke mos nxjerrë asnjëri fitues në këto zgjedhje. Dhe pse asnjë parti politike nuk ka mjaftueshëm mandate për të krijuar një qeverisje të stabilizuar, sërisht përcaktues del faktori shqiptar.

Po përse shqiptarët votuan për LSDM e Zoran Zaevit? Maqedonia që nga viti 2006 udhëhiqet nga Nikolla Gruevski, i cili në periudhën 2006-2008 kishte në koalicion PDSH e Mendu Thaçit dhe nga viti 2008, BDI e Ali Ahmetit. Fatkeqësisht deri më sot partitë politike shqiptare nuk kanë përfaqësuar denjësisht, sa dhe si duhet interesat e elektoratit të tyre ne qeverisjen e vendit, përkundrazi. Dhe pse kanë qenë mjaftueshëm si ligjvënës e vendimmarrës, fill me pjesëmarrjen e tyre në koalicionin qeverisës, kanë qenë të përulur, pse jo të shitur tek lidershipi maqedonas. Kjo zhgënjeu shumë elektoratin shqiptar, gjë, e cila beri qe ne këto zgjedhje të humbin besimin tek përfaqësuesit e partive të tyre politike dhe te bashkojnë votën me LSDM e Zaevit, i cili i ftoi hapur shqiptarët për të rrezuar pushtetin e korruptuar dhe oligarkinë e Nikolla Gruevskit.

Tashmë shumica e shqiptarëve kuptuan se, as PDSH, e as PDI nuk kanë qenë të denja t’i përfaqësonin, përkundrazi, u bënë pjesë e pushtetit të korruptuar të tij dhe pse ai shfaqte hapur ndjenja antishqiptare, madje, përdori dhe makinën shtetërore kundra tyre. Partitë shqiptare u bënë palë me këtë qeverisje dhe nuk guxuan kurrë të dalin në mbrojtje të shqiptarëve në Maqedoni, as për dhunën politike të pushtetit, as për diskriminimin, as për të fituar të drejtat e Marrëveshjes se Ohrit, as për makinacionet për vrasjet ne Kumanovë, as për përgjimet e shantazhet, as për barrierat tregtare me Shqipërinë, për asgjë, por heshtën, ku gjithçka të bën të dyshosh se ata janë të kapur nga shteti maqedon.

Gjithçka bëri që tek shqiptarët të humbte shpresa dhe zgjim i tyre dhe i shumicës dërmuese të popujve në Maqedoni fillojë kur Zaev publikoji përgjimet dhe makinacionet e administratës Gruevskit ndaj kundërshtarëve, kryesisht LSDM, ndaj rrëzimi i tij u shndërrua ne qellim të opozitës qe po mbështetej dhe nga faktori ndërkombëtar. Kjo bëri që dhe një pjesë e shqiptarëve të orientoheshin drejt tij, i cili kishte nevojë dhe për votat e tyre për rrëzimin e Gruevskit. Tashmë rreth 70 mijë shqiptarë do ta votonin, madje dhe në zona të rezistencës si në Tanushë e Haraqinë.

Një pjesë e madhe e shqiptarëve humbi besimin dhe u lodh nga propaganda politike e liderëve të tyre me sloganet e dale boje ne emër të flamurit, gjuhës, Shqipërisë etnike, UCK etj., përderisa ata u bënë njësh me pushtetin e korruptuar dhe të harronin elektoratin e ndershëm, por krijuan klane nepotike e ranë pre e korrupsionit, duke ju nënshtruar pushtetit, ndërkohë që shqiptarët kishin nevojë për bashkëjetese të ndershme, mirëqenie e prosperitet.

Humbjen në këto zgjedhje liderët e partive të vjetra u munduan ta justifikojnë si “tradhti”, ndërsa harrojnë se vete ata kishin tradhtuar interesat e shqiptarëve të tyre, të cilët prej kaq shume vitesh u zhgënjyen dhe menduan se BDI e PDSH ndihmuan VMRO e DPMNE të qëndronte ne pushtet, ndërkohë ky koalicion punonte për të deshqiptarizuar Maqedoninë, të nxiste urrejtjen antishqiptare, ndërsa “luftëtari” Ali Ahmeti nuk u ndje kurrë.

Në këto zgjedhje, shqiptarët në Maqedoni, përveçse bashkimit të votës me LSDM, besuan dhe tek një parti e re qe fitojë ndershmërisht besimin dhe votat e tyre. Lëvizja Besa me kryetar Bilall Kasami, doli si një lëvizje e re politike,e cila ju premton legjimitetin e duhur shqiptarëve. Me 7 Dhjetor në një intervistë në VOA, Kasami do deklaronte se:”Për ne me rëndësi është të marrim legjitimitetin e shqiptarëve të Maqedonisë dhe pastaj tu garantojmë se njëherë e përgjithmonë çështja shqiptare do kthehet në binarët e duhur… Pak rëndësi ka nëse do fitojë VMRO apo LSDM, ne do qëndrojmë në ofertën tonë dhe nuk do devijojmë nga oferta jonë politike”.

Zgjedhjet e 11 dhjetorit përfunduan me rezultatin 51% VMRO-DPMNE, ndërsa shqiptarët fituan 20 mandate:BDI mori 10 mandate, Lëvizja Besa mori 5 mandate, Aleanca për Shqiptarët mori 3 mandate dhe PDSH mori 2 mandate. Shqiptarët kanë humbur rreth 8-9 mandate por jo fuqinë politike të tyre, nëse do dinë ta përdorin atë.

Situata postzgjedhore në Maqedoni është ende e nderë, dhe pse këto zgjedhje prej disa muajsh u konsideruan të jashtëzakonshme. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi të përsëriten zgjedhjet ne Komunën e Tearcës, qe me shume gjasa është që LSDM të marre një mandat dhe të barazohet me vota me Gruevskin, i cili reagoi egërsisht duke nxjerrë turma në rrugë për të mos ndryshuar rezultatin, por dhe me keq, me thirrje antishqiptare duke i quajtur “shqiptarë të mallkuar”.

Pas kësaj humbje Ali Ahmeti do deklaronte se: “Shqiptarët kanë humbur mandate. Ne kemi fituar, por nuk me gëzon kjo fitore. BDI nuk e ndryshon kursin e vet, por do punojë për një integrim në strukturat euroatlantike”. Por ai harron se vota e shqiptarëve ishte ndëshkim për partneritetin e tij me ultranacionalistët e VMRO-DPMNE. Por ndërsa Ali Ahmeti flet për integrim në strukturat euroatlantike, përse nuk është ndjerë prej kaq vitesh për Marrëveshjen e Ohrit, nënshkruar me ndihmën e Perëndimit. Përse nuk reagon kur Gruevski akuzon diplomatët perëndimorë për ndërhyrje në punët e brendshme dhe për të vetmen arsye se ata kërkojnë zgjedhje dhe një Maqedoni demokratike për të gjithë, por zgjedhjet e 11 Dhjetorit rrënuan establishmentin e vjetër VMRO- PDSH-BDI dhe testuan orientimin perëndimor, ku dhe Lëvizja Besa që e etiketojnë si orientale, premton të ardhmen demokratike.

Përtej kësaj tabloje të shitjes dhe përçarjes mes shqiptarëve,tashmë ka ardhur momenti që lidershipi i tyre të dale mbi interesat e ngushta politike e nepotike, por të vihen në shërbim të shqiptarëve dhe interesave legjitime të tyre.

Për shqiptarët në Maqedoni tashmë ka ardhur rasti që të kujtojnë legjendën me Skënderbeun, i cili para se të vdiste mblodhi trimat e tij dhe ju tregoje shembullin me thupra qe kur janë të ndara thyhen dhe se ata n.q.se qëndrojnë bashkë nuk kanë për tu mposhtur kurrë.

Tashmë ka ardhur momenti që humbësit të kthehen ne fitues, kjo nëse kujtojnë Skënderbeun. A do mund të bashkohen shqiptarët në Maqedoni? Sigurisht, nëse lidershipi i vjetër do distancohet nga pushteti i pandershëm dhe të ulen në sofrën shqiptare që të bisedojnë për problemet dhe hallet e tyre, për një të ardhmen më të mirë, me të gjitha të drejtat që meritojnë, për të ndërtuar një Maqedoni demokratike e te denjë për t’u bërë pjesë e familjes europiane./kohajone