A i tha Edi Rama – Ali Ahmetit të mos pranojë koalicion me Gruevskin?

A do të vendoset nga Edi Rama në Tiranë se cila parti e madhe maqedone do të jetë në pushtet në Shkup

Shkruan: Kastriot Myftaraj

A do të vendoset nga Edi Rama në Tiranë se cila parti e madhe maqedone do të jetë në pushtet në Shkup
Në një akt absolutisht të paprecedent në historinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, Kryeministri Rama, pa kaluar 48 orë nga përfundimi i zgjedhjeve në vendin fqinj, ka thirrur në Tiranë kryetarët e partive shqiptare në Maqedoni që kanë marrë ulëse në Kuvendin e atjeshëm. Thirrja në Tiranë e faktorit politik parlamentar në Maqedoni, në ndërkohë që ende nuk është përcaktuar koalicioni qeverisës në vendin fqinj dhe kur të dy partitë e mëdha maqedone kanë domosdoshmërisht nevojë për partitë shqiptare që të krijojnë qeverinë, është një përpjekje e qartë për të ndikuar në krijimin e koalicionit qeverisës paszgjedhor në vendin fqinj.

Edi Rama ka marrë përsipër një detyrë shumë të vështirë që t’ i sigurojë shumicën parlamentare liderit të partisë së dytë maqedone, SDSM, z. Zaev, i cili ka mbështetjen e Sorosit, mbrojtësit të Edi Ramës. Pra, Kryeministri i Shqipërisë po vepron sipas agjendës sorosiane jo asaj shtetërore dhe kombëtare shqiptare. SDSM ka 49 deputetë në Kuvendin me 120 deputetë. SDSM-së i duhen së paku edhe 12 deputetë për të krijuar shumicën parlamentare. Kjo do të thotë se edhe nëse Edi Rama bind tre partitë e tjera shqiptare, veç BDI, që kanë së bashku dhjetë deputetë në Kuvend, SDSM nuk e arrin dot kuorumin prej 61 deputetësh, për të krijuar shumicën parlamentare. Në çdo kombinim partish për krijimin e shumicës parlamentare të SDSM është e nevojshme pjesëmarrja e BDI që ka dhjetë deputetë. Kjo do të thotë se Rama duhet të bindë Ali Ahmetin.

SDSM bashkë me BDI kanë 59 deputetë, që do të thotë se në rast aleance iu mungojnë edhe dy deputetë për të arritur shifrën minimale të shumicës parlamentare, 61. Kjo shumicë mund të arrihet me hyrjen në koalicion të një nga dy subjektet e vogla politike shqiptare, PDSH ose Aleanca për Shqiptarët, ose më mirë të dyja bashkë, sepse një shumicë parlamentare me vetëm 61 deputetë është tepër e brishtë. Në çdo rast përjashtohet një aleancë ku BDI të jetë bashkë me Lëvizjen “Besa” në një qeveri të kryesuar nga Zaev, sepse as BDI, as “Besa” nuk e duan bashkëqeverisjen. Në të vërtetë, një pjesëmarrje në koalicion e BDI dhe “Besa”, vetëm sa do të ndërlikonte koalicionin qeverisës dhe do të sillte problematikë të shtuar për të.

Nuk dihet nëse Rama do t’ ia arrijë qëllimit që ta sjellë Zaevin në pushtet, por një gjë është e sigurt. Nëse vendoset në Tiranë se cila nga dy partitë e mëdha maqedone do të jetë në pushtet, kjo gjë do të bëhet shkak për nisjen e një spiraleje rreziqesh të mëdha për shqiptarët e Maqedonisë. VMRO-DPMNE, partia nacionaliste maqedone, nuk do ta pranojë kurrë një gjë të tillë dhe do të bëjë gjithçka për të prishur marrëdhëniet e shqiptarëve me SDSM dhe posaçërisht Zaevin. VMRO-DPMNE ka shumë njerëz në polici dhe shërbimet e fshehta, ka forca paramilitare të kamufluara në lloj-lloj mënyrash. VMRO-DPMNE nuk do ta ketë të vështirë që të provokojë situata në të cilat do të ketë përplasje të përgjakshme mes shqiptarëve dhe forcave policore-ushtarake shtetërore maqedone.

Vetë Zaevi herët a vonë, por me shumë gjasë herët, do të bëjë diçka për t’ u treguar maqedonëve sllavë, se ai nuk është shiftar (fjalë fyese për “”shqiptar), siç po e quajnë njerëzit e VMRO-DPMNE. Shkurt Zaevi do t’ u tregojë dhëmbët shqiptarëve. Duke pasur parasysh situatën e krizës së zgjatur politike mes vetë partive të mëdha maqedone, nuk është teprim të parashikohet se skenarët e rinj të përgjakshëm antishqiptarë, do të jenë më të këqinj se ai i Kumanovës në 2015, më të këqinj se “Monstrumi”, dhe me më shumë viktima shqiptare edhe se lufta e vitit 2001.

Duket e bukur ideja që në Shkup të jetë një kryeministër maqedon që është vasal politik i Tiranës, por kur të vijnë pasojat e padëshiruara, për shqiptarët e Maqedonisë, a do të jetë në gjendje Kryeministri Rama të veprojë për t’ i ndalur ato? Është e qartë që jo.