A ndikoi “Facebook” në fitoren e Trump? Si përgjigjet Mark Zuckerberg

Themeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg mohon se rrjeti social i themeluar prej tij të ketë ndikuar në fitoren e garës presidenciale në SHBA, nga Donald Trump. “Ideja se lajme false të publikuara në Facebook kanë ndikuar në një farë mënyrë në zgjedhjet presidenciale është marrëzi”- ka thënë Mark Zuckerberg, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë polemikave, mbi rolin e rrjeteve sociale që kanë favorizuar fitoren e Trump.

Sipas disa analistëve të “Facebook”, për shumë amerikanë burimi kryesor i informacionit, ka hedhur një sërë lajmesh e videosh të vendosura si të rëndësishme në mënyrë false për ti dhënë më shumë avantazh kandidatit republikan.

“Nëse mendoni se Facebook ka ndikuar në zgjedhjet presidenciale, atëherë nuk e keni kuptuar mesazhin që mbështetësit e Trump kanë dashur të japin”, ka thënë Zuckerberg duke folur në një konferencë për teknologjinë në Kaliforni, raporton USA Today.

Në fillim të vitit rrjeti social u akuzua se ishte anti-Trump, pasi në seksionin “trending stories” shfaqeshin vetëm lajme pro demokrate. Dhe kështu grupi i personave që merrej me “historitë më të lexuara”, u pushua nga puna dhe u zëvendësuan me një algoritëm. Rezultati? Më shumë lajme të konsideruara për të qeshur, përfunduan në listën e më të lexuarave, pasi ndiqeshin nga pjesa më e madhe e përdoruesve.