A nisi këtu tensioni Kosovë-Shqipëri? (dhe një koment i Krisafit)

Vizita e kryeministrit shqiptar, Edi Rama në Serbi, vetëm sa e ndezi më shumë debatin mes analistëve në Shqipëri dhe Kosovë për marrëdhëniet mes dy vendeve tona.

Në të vërtetë, debati kishte kohë që ishte ndezur, e ndoshta shkëndija e fortë ishte dhënë që në momentin kur Milot Rashica deklaroi se do të luajë për Kosovën, duke braktisur kombëtaren e Shqipërisë.

Agjencia BIRN, në një shkrim të saj, thekson se tensioni mund të ketë nisur kur Kosova krijoi kombëtaren e saj.

Fitore Hoxha, një arkitekte 27-vjeçare nga Prishtina, tha se tensioni është i paarsyeshëm.

“Në kontekstin diplomatik, Shqipëria nuk ka nevojë për Kosovën, por ne kemi nevojë për ndihmën e Shqipërisë”.

Ndërkohë Ilir Bulku, një biznesmen nga Tirana, tha se komentet e Ramës në Beograd për çështjet ekonomike të Kosovës, janë të tepërta.

“Rama duhet të kuptojë se Kosova është një shtet tjetër dhe nuk mund të ndërhyjë në problemet ekonomike të një shteti tjetër. Imagjino sikur kryeministri kosovar, Isa Mustafa, të bënte të njëjtën gjë, si do ndjeheshim ne?”

Në këtë linjë ishte edhe ministri i Jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj.

Në një intervistë për një televizion shqiptar në Maqedoni, ai tha se Shqipëria nuk duhet të ndërhyjë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.

“Në normalizimin e marrëdhënieve, vetëm Kosova është një lojtar politik dhe unë besoj se Shqipëria është politikisht e qartë për këtë”.

Por Ksenofon Krisafi, dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin Europian të Tiranës, në një koment të publikuar nga Mapo, e quan “një qejfmbetje emocionale të Enver Hoxhajt”.

“Deklarimi i këtyre ditëve i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, për rolin paternalist të Shqipërisë, edhe pse besoj, produkt i ndonjë reagimi të ngutur emocional, shkaktoi keqardhje te jo pak shqiptarë. Hoxhaj, si drejtues i dikasterit të Punëve të Jashtme e kupton më lehtë se shumë të tjerë që marrëdhëniet shqiptaro-serbe, nuk janë vetëm problem i Kosovës apo Shqipërisë. Ato prekin dhe ndikojnë në stabilitetin e gjithë rajonit problematik të Ballkanit. Nga ana tjetër fjalët që ai tha nuk iu shërbejnë shqiptarëve, por atyre që nuk i duan ata. Për fat të keq të tillë ka jo pak si përreth Kosovës ashtu edhe përreth Shqipërisë, madje fatkeqësisht edhe brenda Kosovës dhe Shqipërisë. Nuk e di si ndihet ai këto ditë, kur dëgjon kërcënime të hapura që iu vijnë shqiptarëve nga politikanë anakronikë nga vende fqinje, të cilët i tregojnë Shqipërisë dhe shqiptarëve epërsinë e tyre në sektorë të ndryshëm, pa harruar edhe epërsinë ushtarake”.

“Mbështetja që Shqipëria i ka dhënë dhe i jep Kosovës nuk ka të bëjë aspak me sindromën e paternalizmit, të kultivuar nga disa njerëz të ndodhur në politikë, në Kosovë ose në Shqipëri. Ajo nuk ka të bëjë as me ta personalisht, sepse ata vijnë e ikin, sot janë dikushi, nesër bëhen askushi. Mbështetja e sinqertë, korrekte dhe e domosdoshme e Shqipërisë, iu dedikohet vëllezërve martirë të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Ajo është detyrim kushtetues i çdo pushtetari dhe i çdo shqiptari në Shqipëri. Si e tillë nuk është kontestuar asnjëherë as kur u sanksionua juridikisht në Kushtetutën shqiptare dhe as, kur populli shqiptar, në zbatim të këtij detyrimi si dhe të borxhit shpirtëror e vëllazëror, hapi dyert e shtëpive dhe të zemrave, kur mbi 700 mijë kosovarë gjetën strehë, mbështetje e ngrohtësi në shtëpitë e shqiptarëve të Shqipërisë, kurse disa dhjetëra e qindra të tjerë morën armët dhe u rreshtuan në radhët e UÇK-së. Është fjala përkatësisht për vitin 1998 kur u miratua Kushtetuta dhe për vitet 1998-1999, kur u ashpërsua lufta në Kosovë dhe ajo u zbraz nga forcat serbe për t’u shndërruar në fushë