A po tentohet ndarja e Mitrovicës për herë të dytë?

Ajo që po ndodhë në qytetin e Mitrovicës, aty ngjitur me urën e Ibrit, mitrovicasit e konsiderojnë mashtrim të madh ndaj tyre, por edhe ndaj qytetarëve të Kosovës në përgjithësi.

Sipas tyre, kjo është hera e dytë që po tentohet ndarja e këtij qyteti, pasi një plan i tillë ishte provuar të realizohet edhe gjatë vitit 2001.

Xheladin Zeka, qytetar i Mitrovicës, ka bërë të ditur për Kp se ndërtimi i murit të betonit të lartë rreth dy metra, që do ta mbajë të ndarë pjesën veriore të Mitrovicës prej asaj jugore, nuk është ide e re e serbëve të veriut dhe Beogradit.

“Një plan i tillë që ndan qytetin e Mitrovicës ka ekzistuar qysh në vitin 2001, kur ishte planifikuar ndërtimi i mureve në të dyja cepet e urës mbi Ibër. Fatmirësisht, ky plan që ishte ideuar nga KFOR-i atëherë, nuk u realizua”, ka thënë Zeka.

Sipas tij, KFOR-i atëherë pretendonte se siguria në qytetin e Mitrovicës do të arrihej vetëm përmes ndërtimit të mureve tek ura e Ibrit, dhe jo ndryshe.

Ai për situatën e krijuar ka fajësuar qeverinë e vendit dhe bashkësinë ndërkombëtare, për të cilët tha se kanë lejuar ndarjen de fakto dhe de jure të qytetit të Mitrovicës.

Zhelko Tvërdishiq, analist nga veriu i Mitrovicës, tha për KP se Mitrovica është ndarë shumë më herët, me krijimin e dy komunave.

Ai tha se e gjithë kjo situatë është rezultat i mos transparencës së duhur të marrëveshjes së Brukselit, ndërsa, akuzoi bashkësinë ndërkombëtare dhe autoritetet lokale për gjendjen e krijuar.

“Me krijimin e dy komunave qyteti i Mitrovicës është ndarë faktikisht shumë më herët. Mos transparenca e marrëveshjes së Brukselit ka dhënë si rezultat këtë që sot po ndodhë në qytetin tonë. Andaj, bashkësinë ndërkombëtare, por edhe autoritetet lokale i shoh si përgjegjëse kryesore për gjendjen më të re të krijuar në Mitrovicë. Kam frikë se qytetarët për të satën herë do të paguajnë çmimin e papërgjegjësisë së dikujt”, ka thënë Tvërdishiq.

Në anën tjetër, analisti nga jugu i qytetit, Nexhmedin Spahiu, ka bërë të ditur se fatkeqësia e Kosovës është se muri në Mitrovicë është legal dhe jo ilegal siç po e quajnë politikanët kosovarë.

Sipas tij, muri nuk është ngritur nga strukturat paralele siç po thuhet, por nga administrata e ligjshme e legjitime e Komunës Veriore të Mitrovicës, dhe atë me taksat e qytetarëve të Kosovës.

Ai potencoi se në këmbim të largimit të barrikadës janë bërë tre lëshime të mëdha që ia kanë humbur kuptimin hapjes së urës.

“Gabimi trashanik i Edita Tahirit dhe Isa Mustafës është se kanë pranuar që në këmbim të largimit të barrikadës janë bërë tre lëshime të mëdha që ia kanë humbur kuptimin hapjes së urës. E para, është pranuar të ngushtohet ura. E dyta, është pranuar që në vend të xhamisë së Ibrit të bëhen shkallët për invalidë dhe terreni sportiv. Dhe e treta, është pranuar që të mbyllet rruga nacionale Prishtinë-Mitrovicë-Zveçan, dhe kjo për një segment prej 150 metrash të bëhet shëtitore. Në momentin që Qeveria e Kosovës ka nënshkruar se kjo do të bëhet shëtitore, atëherë, i takon Goran Rakiqit se çfarë do të bëjë me të, dhe aty më institucionet qendrore nuk kanë punë”, ka thënë për KosovaPress Spahiu.

Ai ka sqaruar se Rakiqi, me qëllimin poshtërues ka pranuar një dizajn të shëtitores të tillë, që ajo në pjesën e poshtme të ngritet për rreth dy metra, në mënyrë që të barazohet me pjesën ku është përmendorja e Car Llazarit.

Spahiu ka shtuar se muri do të jetë vetëm nga ana jugore, kurse nga ana veriore ai do të plotësohet me dhe që të rrafshohet shëtitorja, dhe ky dizajn i shëtitores që është tashmë kompetencë e komunës Veriore të Mitrovicës ka për qëllim të fyej shqiptarët.

“Pozicioni simbolik është racist, shqiptarët poshtë, serbët lartë”, theksoi Spahiu, duke shtuar se serbët nga platoja e shëtitores do t’i shohin shqiptarët gjithmonë poshtë.

Ai në fund tha se nëse Qeveria e Kosovës vendosë ta rrënojë me forcë murin, pasojat mund të jenë të paparashikueshme, dhe me e keqja, Rakiqi mund t’i ankohet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e ajo ta detyrojë Qeverinë e Kosovës ta ndërtojë murin sërish.

“Ajo çfarë do të mund të bënte Kosova tani është që ta shkarkoj Edita Tahirin dhe Qeverinë, dhe ta tërheqë marrëveshjen, duke kërkuar që rruga nacionale të mos ndërpritet me shëtitore”, tha Spahiu.

Ndryshe, KP, gjatë vitit 2001, pati raportuar rreth planit për ndërtimin e mureve tek ura e Ibrit, të hartuar nga kontingjenti francez i KFOR-it, që duhej të realizohej nga KFOR-i dhe administrata e OKB-së në Kosovë UNMIK, ndërsa, ndërtimi i sotëm i murit në veri nuk është bërë sipas planit të vitit 2001.