Adoleshentja që tronditi opinionin në Shqipëri duke vra 45 vjecarin, martohet në Maqedoni

Rreth një vit më parë Nazime Visha la burgun për të vijuar jetën e saj. Me shpresa të reja dhe plot projekte, Nazimja nuk harroi të falënderojë të gjithë ata që e ndihmuan të linte qelinë. Në mars të vitit të shkuar, 23-vjeçarja fitoi nga amnistia dhe sapo doli është shprehur se do të nisë menjëherë shkollën. E pyetur nga gazetarët e pranishëm, Nazimja nuk harroi të falënderojë ata që mundësuan lirimin e saj nga burgu. “Falënderoj ministrin e Drejtësisë, Eni Vasilin, Ismail Kadarenë, drejtoreshën e burgut dhe gjithë ata që më kanë ndihmuar”, tha ajo.

Duket se Nazimja e ka lënë pas historinë tragjike të jetës së saj dhe fati i buzëqeshi përsëri. “Bluetooth” të Gazeta Shqiptare ka mësuar se Nazime Visha është martuar para pak kohësh dhe jeton në Maqedoni, së bashku me bashkëshortin e saj. Pas daljes nga Burgu e reja, nuk u rikthye më pranë familjes por shkoi të jetonte me gjyshërit në fshatin Kërrabë të Tiranës, vend ku ndodhi dhe ngjarja tragjike e vrasjes së njeriut që ajo tha se kishte abuzuar seksualish me të që kur ishte e mitur, Fiqiri Muçës.

Kanë qenë pikërisht të fqinjët e të afëmit e të resë nga Kërraba që pas interesimit tonë për të takuar vajzën që u bë e famshme nga vrasja e bujëshme, konfirmuan lajmin, e martesës së saj. Ata bënë me dije se 23-vjeçarja prej pak muajsh nuk jeton më në fshat, por është larguar nga Shqipëria, për të nisur një jetë të re me burrin që jeton në Maqedoni. Burimet thonë se Nazimja nuk ka bërë dasmë, por ka preferuar të largohet menjëherë nga Shqipëria. Pas vrasjes që tronditi mbarë opinionin publik në gusht të 2012-ës, pas gati 4 vitesh burg, vajza që u shndërrua në një fenomen në vendin tonë, duket se ka rinisur një jetë të re, duke lënë pas dhimbjen dhe dramën e përjetuar.

Historia e Nazime Vishës

Nazime Visha, e lindur në Zall-Bastar më 3 mars 1994, e qëlloi me breshëri automatike Fiqiri Muçën, mesnatën e 13 gushtit të vitit 2013. 4 vjet pas lidhjes intime që kishte me të, Nazimja në atë kohë vetëm 18 vjeç e qëlloi për vdekje babain e 5 fëmijëve. Fiqiriu ishte njohur me të nga lidhja që kishte me babain e saj. Ngjarja tronditi mbarë opinionin publik, teksa të shumtë ishin ata që kërkonin lirimin e saj. Në nismën e ndërmarrë nga Eni Vasili u bashkuan shumë elitarë të vendit tonë, duke ia dalë që në mars të vitit të shkuar, Nazimja të fitonte nga amnistia dhe pas 4 vitesh të linte qelinë. Tashmë kjo histori i përket të shkuarës për 23-vjeçaren, e cila ka lënë përfundimisht Shqipërinë për të nisur një jetë të re, krah bashkëshortit.