ADSHM: Mos të lëshohet shansi historik – një deputet shqiptar nga diaspora

Asociacioni i Diasporës shqiptare nga Maqedonia, bën thirrje për dalje masive të mërgimtarëve tanë për ta votuar kandidatin e vetëm shqiptar për deputet, Xhevdet Spahiu.

Në thirrjen publike të këtij asociacioni në mërgim, thuhet se në këto zgjedhje parlamentare, për herë të parë shqiptarët e kanë shansin real historik që të fitojnë një deputet nga diaspora në zonën e shtatë zgjedhore. Për këtë arsye, duhet një mobilizim masovik ditën e zgjedhjeve më 10 dhjetor në të gjitha përfaqësitë diplomatike të Republikës së Maqedonisë.

Kësaj radhe duhet t’i ndalet turri VMRO-DPMNE-së, e cila në dy ciklet e fundit zgjedhore, përmes formave të ndryshme, arriti t’i nxjerr të tre deputetët e diasporës, madje edhe atje ku shqiptarët përbëjnë komunitet shumicë, siç ishte Evropa. Rrethanë lehtësuese në këto zgjedhje është edhe fakti se kësaj radhe, në listën e votimit gjendet vetëm një kandidat shqiptar”, thuhet në këtë thirrje publike, njofton Aktuale.mk.

Bashkimi Demokratik për Integrim, si partia kryesore e shqiptarëve të Maqedonisë, garon me Xhevdet Spahiun, me numrin rendor 3, ndërsa partitë tjera shqiptare kësaj radhe nuk kanë kandiduar në diasporë, duke e rritur mundësinë që të gjitha votat shqiptare të shkojnë për një kandidat, në këtë rast Spahiun.

Me zgjedhjen e deputetit të ardhshëm Xhevdet Spahiu, shqiptarët në diasporë me origjinë nga Maqedonia, do të kenë përfaqësimin e tyre dinjitoz në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë, përmes të cilit do të mund t’i artikulojnë të gjitha kërkesat dhe nevojat e tyre, thuhet në fund të thirrjes së ADSHM-së.