Afrim Gashi: Nuk mund ta votojmë këtë Qeveri, edhe pse ka disa emra të suksesshëm

 

Bashkërenduesi i Lëvizjes Besa, Afrim Gashi, diskutoi për çështje që ka të bëjë me shqiptarët dhe formimin e qeverisë së re në përgjithësi, përcjell Telegrafi Maqedoni.

 

Gashi shtroi pyetjen se përse deri tani nuk është pranuar se shqiptarët kanë rol të rëndësishëm në këtë shtet, duke akuzuar se politika e vendit është ndikuar nga ajo jugosllave e periudhës së Millosheviqit.

Sipas tij, me Kushtetutën e vitit 1991 u ba majoritimi mbi shqiptarët, dhe u dha porosia se shqiptarët mund të jetojnë në Maqedoni vetëm si do të dëshirojnë politikanët maqedonas që t’i trajtojnë.

Gashi përmendi edhe luftën e vitit 2001 e cila përfundoi me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Deputeti Gashi akuzoi se politikanët maqedonas arritën që të caktojnë politikanë shqiptarë të korruptuar, si përfaqësues të shqiptarëve, ose arritën që t’i korruptojnë e më pastaj t’i caktojnë në pozita të ndryshme. E gjithë kjo, sipas tij, është bërë për t’i heshtur shqiptarët, duke arritur kështu OBRM-PDUKM-ja dhe LSDM-ja që t’i kontrollojnë shqiptarët përmes këtyre politikanëve.

Në lidhje me këtë çështje, Gashi hodhi akuza edhe ndaj përfaqësuesve shqiptarë, duke përmendur konkretisht edhe Ali Ahmetin, si një njerë që, sipas Gashit, urrehet shumë nga shqiptarët.

Gashi akuzoi se liderët politik maqedonas nuk dëshirojnë të jenë me shqiptarët, por vetëm me BDI-në dhe kjo, sipas tij, do të gjenerojë urrejtje të shqiptarëve edhe ndaj Zaevit.

Gashi paralajmëroi mbështetje konstruktive të Qeverisë varësisht nga ajo çfarë ofrohet për t’u votuar, sidomos kur bëhet fjalë për të drejtat shqiptarëve.

Gashi bëri të ditur se nuk do të mund që ta votojnë një përbërje të këtillë qeveritare, pa marrë parasysh, siç tha, disa emrave të suksesshëm. Diskutimin në kuvend mund ta shihni në këtë vegëz.