Agjencitë Ndërkombëtare, tensione të reja mes Serbisë dhe Kosovës

Agjencitë ndërkombëtare të lajmeve Associated Press dhe AFP kanë ngritur shqetësimin se mund të ketë tensione të reja mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo për shkak të arrestimit të drejtorit të policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi. Sipas agjencive, ndalimi i drejtorit të policisë nga autoritetet Serbe, “Është tregues i qartë i tensioneve të vazhdueshme në Ballkanin e paqëndrueshëm”. Associated Press shkruan se Thaçi u arrestua të Mërkurën e kaluar, ndërsa thekson se Prishtina zyrtare kërkon nga Serbia që të japë shpjegime për ndalimin e tij. Sipas AFP, që citon një zëdhënëse të gjykatës së Nishit, zyrtarit kosovar i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Një zëdhënës tjetër i gjykatës së Nishit në Serbi ka thënë për AFP se ndaj Thaçit po kryhen hetime në lidhje me terrorizmin.