AGJËRIMI PËRMES HARTËS: NË CILAT VENDE ËSHTË MË E VËSHTIRË TË MBASH RAMAZAN

Në arabisht, ramazan do të thotë “muaji i nxehtë”; vjen nga rrënja e fjalës ramida, e cila ka kuptimin “zhuritje”. Muaji i shenjtë i agjërimit, kur besimtarët muslimanë kufizojnë ushqimin dhe ujin gjatë orëve të ditës, ishte një sprovë për muslimanët e parë në gadishullin e përvëluar arabik, 1400 vjet më parë. Por, që nga ajo kohë, Islami është përhapur globalisht. E ndërsa ka nisur muaji i shenjtë i agjërimit, një hartë që merr parasysh gjerësitë dhe gjatësitë gjografike tregon se në cilat vende orët me dritë janë më të gjata e ku ditët do të jenë më të nxehta.

Për shkak se kalendari islam është hënor, muaji i Ramazanit bie rreth 11 ditë më herët çdo vit, duke përfunduar një cikël të plotë përgjatë stinëve çdo tre dekada. Muaji i shenjtë, këtë vit, përkon me solsticin e 21 qershorit, ditës më të gjatë të vitit në hemisferën veriore. Kjo i bën muslimanët në gjerësitë veriore të përballen me ditë më të gjata agjërimi, në fakt, pak më të gjata sesa koha midis lindjes së diellit dhe perëndimit: agjërimi shtrihet nga falja e mëngjesit deri tek ajo e pas rënies së diellit.

Në ditën e parë të Ramazanit, londinezët agjërojnë për 18 orë, nga ora 3 e mëngjesit deri në 9 të darkës. Muslimanët në Helsinki do ta kenë më të vështirë, me 20 orë agjërim, edhe pse janë në një pozicion më të favorshëm sesa ata në Arkhangelsk, të cilët agjërojnë për rreth 21 orë të ditës.

Zgjatja e agjërimit nuk është vështirësia e vetme. Temperaturat e ditës gjatë muajit janë gjithashtu të rëndësishme, për shkak se besimtarët muslimanë nuk duhet të konsumojnë as ujë. Në vëzhgimin e qyteteve me popullsi mbi 300 mijë, qyteti më i shenjtë i Islamit, Meka, duket se kryeson në lidhje me temperaturat e larta. Me një masatare të temperaturës prej 35 gradë celsius, Meka rezulton të jetë qyteti më i vështirë përsa i takon përballimit të etjes për të gjithë ata që mbajnë Ramazan.

Muslimanët përshtaten me këto kushte në disa mënyra. Në vendet e nxehta me shumicë muslimane, shumë njerëz flenë për pjesën më të madhe të ditës dhe janë më pak aktivë në orët e zgjimit. Emiratet e Bashkuara Arabe, një vend i pasur që i ka të pajisur ambientet në shumicën e tyre me ajër të kondicionuar, e redukton ditën e punës gjatë Ramazanit në jo më shumë se 6 orë. Në vendet më veriore me ditë të gjata, disa muslimanë zgjedhin të agjërojnë sipas orëve të mbajtjes së Ramazanit në Mekë.

Sigurisht që nuk përbën qëllim në vetvete, por harta sugjeron edhe vende me ditë më të shkurtra dhe temperatura më të moderuara. Në këtë drejtim, më shumë fat kanë ata që e nisin agjërimin në Durban, rreth 12 orë agjërim dhe temperaturë mesatare 17 gradë Celsius, dhe në Rio-de-Zhanejro, 12 orë agjërim dhe temperaturë 21 gradë.

Sido që të jetë, Ramazan të mbarë! /tesheshi.com/