Ahmeti: BDI, armata e çelikt që bën historinë

BDI përmbylli aktivitetet ditore të fushatës në Komunën e Bogovinës. Kryetari Ali Ahmeti para një numri të madh banorësh të zonës, tha se BDI do tu qëndrojë besnike bindjeve të saja dhe përbetimeve në të mirën e qytetarëve shqiptarë.
“Ne nuk mund të bëhemi pjesë e një anije me kapedan që ka ideologji që nuk përkon me historinë e kombit shqiptar. Destinacioni ynë është NATO, Brukseli dhe Uashingtoni, pasi me këta përkrahës ne si shqiptarë kemi realizuar të gjitha qëllimet në historinë më të re”, deklaroi kryetari i BDI-së dhe bartësi i listës zgjedhore në njësinë zgjedhore numër 6, z. Ali Ahmeti.
Ahmeti para banorëve të Bogovinës gjithashtu tha se BDI është forcë politike, e mobilizuar, që mund të përballet me të gjitha forcat e brendshme apo të karakterit të politikave ndërkombëtare.
“As nuk kemi qenë cinik, as nuk kemi qenë egoist. U kemi apeluar të gjithë atyre forcave nismëtare që bëjnë lëvizje të reja, parti të reja, le të bashkohen dhe të fitojnë BDI-në, ua bëj hallall. Por të ndarë e të përçarë, të humbin votat shqiptare, këtë nuk ua fal. Unë ua zgjas dorën si burri-burrit, por ashtu siç janë bërë copa-copa, kur hallall nuk do t’ua bëj ky popull”, tha Ahmeti.
Kryetari i BDI-së, para bogovinasve gjithashtu tha se partia që ai udhëheq nuk frikësohet, por kërkon që elektorati të ketë kujdes që mos të lejojnë përsëritjen e vitit 2011 kur shqiptarët humbën mbi 50 mijë vota.
“Nuk është çështja këtu se do të hymë në një garë dhe ka një konkurencë vërtet shkencore dhe të përsosur. Edhe i vogël të jesh, kur del me guxim dhe ke një qëllim të qartë edhe ne të mëdhenjëve na shtyn të mendohemi. 4 mijë forca të armatosura kanë shqiptarët në këtë vend, 25 mijë administratorë shqiptarë në shërbimin tuaj, pse të braktisë unë skenën politike, pse këtë e dëshiron Zoran Zaevi? JO, unë respektoj vullnetin tuaj, pasi mandat dhe legjitimitet kemi nga populli shqiptar dhe unë nuk luaj me fatin e tij.”