Ahmeti: BDI bën politik pa eufori, por shumë racionale

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) fushatën zgjedhore sot e nisi në Debresh, Komuna e Gostivarit. Fjalimin e tij kryetari Ali Ahmeti e nisi me një thënie të Faik Konicës, ‘RUAJE ZOT SHQIPNINË PREJ SHQIPTARËVE, SE PREJ TË HUAJVE E RUAJM VETË’ duke tërhequr kështu një paralele mes periudhës pas mëvetësisë së Shqipërisë dhe asaj të ditës së sotme që dëshirojnë të përsërisin partitë e vogla opozitare në vend.
“Faik Konica këto thënie i ka bërë në rrethana shumë specifike e të ndërlikuara gjatë vitit 1913, pas shpalljes së gjysmë pavarësisë. Aso kohe në Londër vajtën 5 delegacione shqiptare që kishin kërkesa të ndryshme, ata me këtë kërkonin nga një copë, kërkonin një Shqipëri me ngastra e të cunguar, me gjëmba e tela, dhe nga ky dëshprim i madh, Faik Konica bëri analiza që edhe sot duhet t’i mendojmë, pasi gjërat tanimë duan vëmendje, ky është një mandat që do të vendosen çështje të rëndësishme dhe jo aq i lehtë sa mund të mendojë ndonjë subjekt, lëvizje e re apo ndonjë iniciativë qytetare. Situatat që na presin, janë sikur një pacienti në spital t’i shërbejnë ndihmës motra, e mjek gjysmakë, por mos harroni se po ua lë ndihmës motrave e gjysmë mjekëve shëndetin në duar, sigurisht që pacienti nuk do të mbijetojë. Kjo situatë, kërkon specialist, pasi ne duhet patjetër t’ia dalim me sukses të gjitha çështjeve që duan zgjidhje urgjente”, deklaroi kryetari i BDI-së dhe bartës liste për njësinë 6, z.Ali Ahmeti.
Ahmeti gjithashtu tha se BDI nuk dëshiron të bëjë politik me eufori, por të qëndrojë racionale pasi para nesh shtrihen detyra të përgjegjësive të larta.
“BDI ka kuadro të përgatitura në të gjitha fushat, nuk dilet përpara popullit me 2 faqe hartim të nxënësve të klasës së parë dhe të thuash unë do të drejtojë shqiptarët e Maqedonisë.  Shqiptarët mbrojtës të kauzës e kanë BDI, subjekt ky i cili buron nga bashkimi i tërë forcave atdhetare e ushtarake të dekadave të fundit”, u shpreh Ahmeti.
Shefi i Shtabit Qëndror, z.Bekim Neziri banorëve të Debreshit të Gostivarit tha se partitë e vogla opozitare, kanë vetëm një qëllim, rrënimin e BDI-së dhe  njollosjen e liderit Ali Ahmeti, por mos të harrojnë ato parti e ata individë, se zullumqarët nuk i do as Zoti.
“Derisa jemi këtu, vetëm në një shtab vendor dhe ka një masovitet të tillë, kur merret parasysh se edhe në të gjitha shtabet tjera është njëjtë, gjithandej hasim në mikëpritje, tregon qartë se BDI është fituese në zgjedhjet e 11 dhjetorit. Politikat e Ali Ahmetit janë politikat e vetme vizionare, BDI është subjekti i vetëm politik me vizion të qartë kombëtar.Tentativat për t’u përçarë votat shqiptare, duhet të jemi vigjilent se në favor të kujt shkon përçarja e votës shqiptare. Përçarja e kësaj vote shkon në favor të bllokut politik maqedonas dhe nëse përçahet vota jonë, do të dëmtohen proceset shqiptare në vend”, u shpreh Shefi i Shtabit Qëndror, z.Bekim Neziri.
Bashkimi Demokratik për Integrim fushatën do t’a vazhdojë në Kumanovë ku kryetari z.Ali Ahmeti, i përcjellë nga Shefi i Shtabit Qëndror, z.Bekim Nezir do të realizojë takime me banorë të asaj zone, kurse në ora 19.30 do të mbahet tubimi qëndror tek Pallati i Kulturës në Kumanovë.