Ahmeti: BDI-në nuk ka forcë që e dridh, pasi i bëhet tërmet ndër këmbë

BDI mbreme zbarkoi në Komunën e Butelit dhe Shuto Orizares ku kryetari z.Ali Ahmeti bashkëbisedoi me banorët e kësaj ane. Në fjalimin e tij para qytetarëve të pranishëm, z.Ahmeti tha se “BDI është gardiani i kauzës shqiptare në Maqedoni, pasi çka ka thënë deri më tani dhe është bërë, dhe ashtu siç mendon BDI, njëjtë flet e vepron.”

ALI AHMETI, KRYETAR I BDI-S

“Ne e dim që kemi dobësi pasi nuk jemi “gjeldeta”, shohim, punojmë, analizojmë, gabimet që kemi bërë nuk i përsërisim. Pranojmë se ka gabime, por ama jemi të vetmit që i dalim ZOT kauzës shqiptare dhe këtë gjë e mbrojnë vetëm ata që kanë flijuar për t’u ngritur ky bashkim kaq i çeliktë. Ne do ta ruajmë këtë pasi është vlerë kombëtare. Nëse mendon dikush se mund të zhduk BDI-n si bryma, gabohet, gjaku thahet por nuk lahet.”

z.Ahmeti më tej para banorëve të Butelit dhe Shuto Orizares tha se fakt që shqiptarët e Maqedonisë kanë ndryshuar faqen e historisë së tyre, është Shkupi, pasi ai tashmë prej kohësh frymon shqip.

ALI AHMETI, KRYETAR I BDI-S

“Sa e sa breza janë vrarë e grirë në këto hapësira për gjuhë, kulturë e flamur, këto amanete kujt i takojnë ti jetësojë, sigurisht brezit të ushtarëve të UÇK-s, siç është Ejup Alimi. Kemi për nder që këtij vargani t’i prijë një ushtarë i cili nuk ka ditë se a do të kthehet tek nëna i gjallë, por që ka ditur se liria është mbi të gjitha.”

Lideri i BDI-s rikujtoi oponentën politik se BDI është një “uragan” që nuk njeh humbje.

ALI AHMETI, KRYETAR I BDI-S

“Edhe këtë radhë, por edhe shumë herë tjera BDI do të jetë vendimtare pasi nuk është krijuar nëpër sallone, e televizione të ndryshme, BDI është krijuar nga gjenerata të tëra që kanë sakrifikuar për këtë vend. BDI është bashkim i ushtarëve, patriotëve, arsimtarëve, BDI është forcë e gjithë asaj lëvizje shqiptare që lindi në vitet e 90-ta, rrënjët janë aq të thella, dhe nuk ka forcë që ta dridh, pasi i bëhet tërmet ndër këmbë.”

Banorëve të Butelit dhe Shuto Orizares iu drejtuan edhe shefi i Shtabit Qëndror Zgjedhor, z.Bekim Neziri dhe bartësi i listës për deputet në njësin zgjedhore numër 2, z.Ejup Alimi. Që të dy njëzëri thanë se ata që nuk ia dëshirojnë të mirën shqiptarëve dhe BDI-s, dënimi do t’u vije me 11 dhjetor.

BEKIM NEZIRI, SHEF I SHTABIT QËNDOR ZGJEDHOR

“BDI është opsioni i vetëm për shqiptarët në Maqedoni. Po bëj një krahasim mes nesh dhe atyre të tjerëve që janë bërë pikë e pesë. Pse këto subjekte politike shqiptare 2-3 vite më herët nuk ngritën zërin e tyre për të mirën e shqiptarëve? Cili është misioni i tyre që 2 muaj para zgjedhjeve dolën si këpurdha? Disa “liderçiça” që dëshirojnë të maten me Ali Ahmetin, përgjigjen do ta marrin me 11 dhjetor kur do të shohin se sa të vogël janë. Ju përcjell mesazh të fuqishëm Gruevistëve dhe Zaevistëve se nuk kanë çka kërkojnë vota tek populli shqiptar.”

EJUP ALIMI, BARTËS LISTE NË NJËSINË ZGJEDHORE NUMËR 2

“Nga ky vit, nuk do të thotë më asnjë banorë i këtij rajoni, se cilat stërvitje janë përballë jush, nga sot e tutje pas themelimit të univ Nënën tereza, nga vendi ku dikur u stërvitën forcat paramilitare, pikërisht në atë vend, djemt e vajzat tona do të ndërtojnë të ardhmen. Nga ai vend nga ku dolën vrasatarë, do të dalin breza të arsimuar e ardhmëri e të gjithë shqiptarëve. Gjuha shqipe patjetërse do të jetë gjuhë zyrtare, pasi një nga përbetimet e BDI-s është që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare. Nuk është nevoja të themi më se kam një të njohur diku, pasi tashmë kemi vëllezërit e motrat tona gjithandej, në të gjitha poret e jetës.”

Krerët e BDI-s, para banorëve të Komunës së Butelit dhe Komunës së Shuto Orizares u zotuan se do të kontribuojnë për një arsim fillor, të mesëm e univeristar më cilësor, se do të kujdesen për të gjitha vendbanimet shqiptare, pasi BDI është një thesar që ka fituar mbi armiq, mbi të gjithë ata që shkruanin zi e terr.