Ahmeti: BDI, partia e atdhetarëve dhe arritjeve reale

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) fushatën ditore e nisi me tubim në Forinë të Komunës së Gostivarit. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti para një numri të konsiderueshëm të banorëve të zonës tha se BDI duhet përkrahur pasi është forcë që ka lindur nga të gjithë atdhetarët që deshën lirinë e vërtetë.
“Sot kemi mbi 20 mijë studentë, sot investohet në këtë vend, mbi 2 mijë vende pune janë hapur në këtë rajon, me një synim që brenda 2 viteve të ardhshme ky numër të arrijë deri në 5 mijë vende pune të reja. Ku ka qenë biznesi shqiptar! Ky biznes duhet të përkrahet si në aspektin ligjor ashtu t’u jepen dhe beneficione prej shtetit. Bashkohuni pasi të ndarë humbim mandate dhe ulim fuqinë që kemi si shqiptarë në Maqedoni”, deklaroi kryetari i BDI-s dhe bartësi i listës zgjedhore në njësinë zgjedhore numër 6, z.Ali Ahmeti.
z.Ahmeti bashkë me përfaqësuesit e BDI-së rikujtuan të pranishmit në tubim për rëndësinë e mospërçarjes së votës shqiptare. Qytetarët duhet të jenë syqelë që mos të kontribuojnë në fuqi-ngritjen e qarqeve të dyshimta antishqiptare dhe interesave të VMRO-së.