AHMETI: BDI do të korrë edhe një fitore në nivel kombëtar

Në vazhdën e fushatës për zgjedhjet lokale të 15 tetorit, kandidatët listës për këshilltarë të Bashkimit Demokratik për Integrim kanë shpalosur ofertën për këto zgjedhje në komunën e Butelit.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në tubim, siç njofton Zyra për informim e BDI-së, ka vlerësuar rolin e BDI-së në mirëmenaxhimin e krizës politike në vend, duke rikujtuar se nëse BDI-ja do t’i braktiste institucionet nuk dihet se çfarë drejtimi do të merrnin zhvillimet.

“Neve njerëzit na besuan për të drejtuar, ne njerëzit na kanë besuar për të udhëhequr, për të marrë vendime të guximshme, qofshin ato me kosto dhe pasoja për vet Bashkimin Demokratik për Integrim” deklaroi Ahmeti duke shtuar se nuk ka dashur të bëj akrobacione e të shes salltanate se është ai që shkatërron qeverinë.

“Për të shkatërruar ishte lehtë, për të menaxhuar ishte rëndë, derisa futëm në proces edhe komunitetin ndërkombëtar dhe u bë Marrëveshja e Përzhinës”, tha Ahmeti.

Duke folur për mosnxjerrjen e kandidatëve për disa komuna, ai tha se BDI-ja kandidon aty ku është e sigurt se ka për të ngadhënjyer dhe nuk hy në lojëra që në fund nuk kanë fitues.

“Veprimi jonë është i arsyeshëm, i logjikshëm dhe shumë pragmatik në politikë. Ne kandidojmë aty ku fitoren e kemi të sigurt dhe i gjithë potenciali ynë është vënë në shërbim të fitores në nivel kombëtar”, tha Ahmeti, duke përmendur me këtë rast Shkupin e Vjetër, Tetovën, Gostivarin.

Krahas kësaj lideri i BDI-së shpjegoi mbështetjen që BDI-ja do t’i japë partnerit të koalicionit, LSDM-së, në Qytetin e Shkupit, në Butel, në Kumanovë, gjë që nuk do të mungojë as nga socialdemokratët maqedonas në komunat ku ata realisht nuk mund të fitojnë. Këtë bashkëpunim ai e vlerësoi si provë se BDI-ja siç ka thënë, nuk bën politikë me standard të dyfishtë – gjithçka tjetër do të ishte hipokrizi nëse ndryshe deklarojnë e ndryshe veprojnë.

Ai në tubimin e mbajtur me anëtarë e simpatizantë të partisë, bëri thirrje për mbarëvajtjen këtij procesi zgjedhor.

“Ne kemi me çka të dalim përpara njerëzve. Të prodhojmë qetësinë, t’ua kërkojmë njerëzve përkrahjen, sepse, të mos turpërohemi, vërtetë kemi bërë, kemi ndryshuar këtë vend. Ndryshe është! Dhe kush mund t’i çojë përpara këto procese, kush mund të ndërtojë më mire ardhmërinë përveç se ju këtu që jeni!” përfundoi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.