Ahmeti: Bejta, njeriu që guxoi të ndryshojë Gostivarin (FOTO)

????????????????????????????????????

Në konventën e Bashkimit Demokratik për Integrim për promovimin e kandidatëve për kryetar dhe këshilltarë të komunës së Gostivarit, Ali Ahmeti vuri theksin te kuadrot e reja të pranishme në konventë.

“Shihni këto kuadro të reja. Këto janë e ardhmja e Gostivarit. Ne nuk vuajmë nga përjetësia në politikë. Ne kemi mision të përgatisim kuadro të reja. Mbi shpatulla ngrisim gjenerata, ngrisim kuadro, dhe kjo reflekton sonte këtu për jush,” tha Ali Ahmeti në Gostivar.

Ai tha se të rinjtë dhe e ardhmja janë prioritet për BDI-në dhe kandidatin e saj në Gostivar Nevzat Bejta. Ai tha se Bejta ka meritën që guxoi të ndryshonte tërësisht Gostivarin.

“Pse unë u përcaktova për Nevzat Bejtën, nuk u përcaktova sepse tash e 17 vite e kam bashkëveprimtarë. U përcaktova sepse është njeriu i guximit, dhe në vitet e mandatit të parë kur Gostivari ndryshoi tërësisht. Ishte ky që kishte guxim për të transformuar Gostivarin, prandaj guximi dhe vlerësimi i njërit pragmatik ishte shkak që u përcaktova dhe tërësisht e ka përkrahjen time”, tha Ali Ahmeti.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim të Gostivarit njëkohësisht kandidat për mandat të dytë për kryetar komune, Nevzat Bejta, tha se projekti i përbashkët, pas përmirësimit të Gostivarit të sotëm, është ndërtimi Gostivari i Nesërm.

“Kemi ndërtuar ura që na bashkojnë! Kemi rregulluar shumë rrugë! Së bashku, kemi bërë nga themeli qytetin duke përmirësuar kanalizimet. Kemi ndryshuar pamjen e fshatrave. Kemi pastruar dhe gjelbëruar qytetin. Kemi investuar në çdo shkollë dhe kemi ndërtuar një shkollë të re. Kemi tërhequr investimet e para të huaja. Bashkë ia kemi dalë, por kemi ende punë. Tani do të vazhdojmë pa u ndalur drejt Gostivarit të Nesërm,” tha z. Bejta.

Bejta i kërkoi të pranishmëve të qëndronin pranë qytetarëve për t’i informuar drejt gjatë fushatës.

“Prezenca e juaj këtu tregon më së miri se së bashku kemi punuar mirë në interes të qytetarëve të Gostivarit. Tani duhet të punojmë mirë me ta që kush nuk ka informata apo kush ka informata të gabuara, t’u tregojmë të vërtetën e punës që kemi bërë dhe planeve që kemi për Gostivarin,” u shpreh Bejta.

Konventa u hap nga shefi i shtabit zgjedhor të BDI-së në Gostivar z. Bashkim Hasani. Ai falenderoi bashkëpunëtorët për punën e madhe organizative dhe i ftoi për një fushatë në funskion të së ardhmes së Gostivarit.

Në konventën promovuese folën edhe bartësi i listës së këshilltarëve komunalë z. Nasir Musliu si dhe kandidatë për këshilltarë komunalë të cilët shpalosën planet e ardhshme për ekonominë, arsimin, kulturën dhe sportin në Gostivar.