Ahmeti, po eliminon çdo parti maqedonase

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, vazhdon edhe më tutje të jetë politikani më i urryer nga qytetarët maqedonas të Maqedonisë, kurse më i besueshmi tek shqiptarët duke fituar çdo cikël zgjedhor qysh nga themelimi i BDI-së.

Pas mbarimit të luftës së 2001-shit, BDI, në zgjedhjet e para parlamentare pas luftës, fitoi bindshëm në bllokun shqiptar, dhe u bë pjesë e qeverisë me LSDM-në.

Gjatë mandatit 2002-2006, Ahmeti me BDI-në, arritën një avancim të dukshëm të shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore, përdorimin e gjuhës shqipe, legalizimin e Universitetit të Tetovës etj.

Një progres i tillë i shqiptarëve, rezultoi që qytetarët maqedonas ta urrejnë gjithnjë e më shumë Bashkimin Demokratik për Integrim dhe liderin e tyre, Ali Ahmeti.

Në zgjedhjet e vitit 2006, BDI arrinë fitoren e radhës, kurse në bllokun maqedonas, LSDM pëson humbje nga VMRO-DPMNE si rezultat i qeverisjes me BDI-në.

VMRO-DPMNE bashkë me PDSH-në, pa kurfar pazari politik dhe në dëm të shqiptarëve, vendosën të shkelin vullnetin e shumicës shqiptare, duke formuar qeverinë dhe duke mbetur BDI, si parti fituese, në opozitë.

Por, Bashkimi Demokratik për Integrim, si një opozitë e fuqishme, arriti që për dy vite të çojë vendin në zgjedhje të parakohëshme parlamentare, ku edhe fitoi bindshëm në ato zgjedhje të vitit 2008, e duke vijuar më pas fitore në vitin 2011 dhe 2014.

Mirëpo, fitorja më vendimtare e BDI-së dhe Ahmetit, si duket është fitorja e zgjedhjeve të fundit të 11 Dhjetorit 2016, ku BDI edhe se fitoi më pak deputet nga ciklet e kaluara, respektivisht 10 deputetë, rezultati në bllokun maqedonas i krijoi një pozitë vendimtare partisë së Ahmetit.

Duke u nisur nga pozita e krijuar, Ahmeti ftoi në tryezë të përbashkët gjithë liderët e partive shqiptare, të cilës iu përgjigjën pozitivisht vetëm Aleanca për Shqiptarët dhe u bojkotuan nga Lëvizja BESA për arsye të paqarta.

Nisma e Ahmetit rezultoi me krijimin e Platformës së përbashkët shqiptare mes liderëve të partive parlamentare dhe e cila gëzon edhe mbështetjen e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare.

Bashkimi Demokratik për Integrim, si fituese në bllokun shqiptar, i priu negociatave për formimin e qeverisë me VMRO-DPMNE-në, si fituese në bllokun maqedonas.

Ahmeti qysh në fillim i parashtroi Kushtet e tij të panegociueshme siç janë: Gjuha Shqipe zyrtare në nivel shtetëror, PSP, dhe integrimi në NATO dhe BE.

Këto Kushte të BDI-së që burojnë nga Platforma e përbashkët, i pamundësuan formimin e qeverisë së re, Nikolla Gruevskit.
Dështimi i Gruevskit për të formuar qeverinë, e ka ç`orientuar tërësisht VMRO-në, dhe me kërcënimet e fundit, partia e Gruevskit, po shkon gjithnjë drejt izolimit politik dhe që nga burime jo zyrtare thuhet se Gruevski me “klanin” e tij me shumë gjasë do të largohet edhe nga kreu i partisë.

Pas dështimit të Gruevskit, i dyti për nga numri i deputetëve Zoran Zaev pritet të marrë mandatin për formimin e qeverisë.
Mirëpo, edhe në këtë rast, BDI është çelësi kryesor për ti dhënë jetë një qeverije në Maqedoni.

Ahmeti, duke vazhduar të qëndrojë i vendosur në Kushtet e tij, bashkë me Aleancën për Shqiptarët, detyruan që Zoran Zaev të pranojë Ligjin për përdorimin e Gjuhës shqipe në nivel shtetëror, në organet më të larta të pushtetit shtetëror.

Por, kjo gjithnjë e më shumë po rezulton të jetë e pa pranueshme për qytetarët maqedonas, të cilët kanë filluar debatet e ashpra kundër Ligjit në fjalë.

Disa arrijnë edhe deri në atë nivel, që paralajmërojnë edhe destabilizimin e vendit.

Më i urryeri në këtë rast nga pala maqedonase mbetet të jetë Ali Ahmeti dhe subjekti i tij Bashkimi Demokratik për Integrim, duke u bazuar në disa media maqedonase ku e përshkruajnë se Ahmeti dhe BDI po e marrin Maqedoninë në duar.

Bazuar në anketat e ndryshme, Zoran Zaev do të pësojë një humbje të madhe zgjedhjet e ardhshme, si rezultat i nënshtrimit ndaj Ahmetit. /ilirianews.mk/