Ahmeti takon Ambasadoren Turke: Vendimi i BDI-së është përcaktues

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka takuar Ambasadoren e Turqisë në Maqedoni, z. Tülin Erkal Kara.

Kryetari Ahmeti dhe Ambasadorja e Turqisë diskutuan për situatën politike në vend dhe marrëdhëniet bilaterale midis Shkupit dhe Ankarasë.

Kryetari Ahmeti uroi Ambasadoren Tülin Erkal Kara për detyën e re duke i dëshiruar shëndet dhe suksese në punën e saj.  Ahmeti prezantoi pesë opcionet e mundshme të BDI-së për dalje nga kriza politike duke theksuar qasjen tonë shumë të kujdesshme në adresimin e këtij ngërçi për arsye të ndjeshmërisë së madhe të situatës në vend, por edhe në rajon.

BDI ka konsideratë për rëndësinë që vendimi ynë e ka dhe prandaj shqyrton thelbësisht dhe gjërësisht çdo probabilitet, çdo avantazh dhe çdo pasojë që mund të ketë përcaktimi jonë.  Ahmeti dënoi përpjekjen e dështuar për grushtet në Turqi duke thënë që marrja e pushtetit me dhunë është e patolerueshme, dhe njëkohësisht dënoi edhe sulmet teroriste në Turqi duke shfaqur solidaritet me popullin turk dhe ngushëllime për viktimat.

Bashkëbiseduesit gjithashtu biseduan edhe për çështje tjera të interesit të ndërsjellë dhe u dakorduan që të vijojnë dialogun konstruktiv.