Ahmeti takon sot liderët shqiptarë, Kasami i BESËS nuk merr pjesë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka ftuar sot në takim Kryetarët e partive shqiptare për të bashkëbiseduar rreth zhvillimeve të fundit në vend, pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit.

“Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim z. Ali Ahmeti, për sot (e shtunë) 24.12.2016, ka ftuar në takim Kryetarët e partive shqiptare për të bashkëbiseduar rreth zhvillimeve të fundit në vend, pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit. Takimi do të realizohet në Hotel Aleksandar Palas me fillim në ora 13.00”, theksohet në kumtesën e BDI-së.

Megjithatë nga Koalicioni Rilindje me BESË kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga Ahmeti, nën arsyetimin se takimi është ftuar dikush që përmendet nga Prokuroria Speciale.

“Duke qenë të përkushtuar për mbrojtjen e interesave shqiptare në Maqedoni, duke e respektuar vullnetin politik të votuesit shqiptar, duke pasur parasysh se këtë takim e fton dikush që përmendet nga Prokuroria Speciale Publike dhe ata që dyshohen për rastin “Magjar Telekom”, si dhe duke mos harruar në asnjë moment se jo më larg se javën e kaluar Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare, si anëtarë të KSHZ-së edhe një herë i shërbyen VMRO-DPMNE-së, duke i hequr një deputet shqiptar koalicionit “Rilindje me BESË” dhe duke ia dhuruar Gruevskit, koalicioni “Rilindje me BESË” ka vendosur ta respektojë vullnetin e votuesve të tij dhe mos të marrë pjesë në takimin që e ka ftuar kryetari i BDI-së, thuhet në njoftimin e koalicionit Rilindje me BESË.