Ahmeti: Universiteti “Nënë Tereza”, autonom dhe vlerë kombëtare

Kryetari i BDI-s, z.Ali Ahmeti në komunën e Haraçinës realizoi takim me studentët e kësaj komune. Bashkë me studentët u diskutuan tema nga më të ndryshmet. Gjatë këtij takimi z.Ahmeti prezantoi një pjesë të programit që ka të bëjë me zyrtarizimin e gjuhës shqipe si dhe këmbeu ide në lidhje me avancimin e standardit të studentëve.
Gjatë bashkëbisedimit me studentët, në një përgjigje ndaj  një pyetjeje të një studenti, z.Ahmeti tha se nuk ka asgjë kundër shkrirjes së Universitetit të Evropës-Juglindore me Universitetin “Nënë Tereza”, por që Universiteti më i ri shqiptar ka ardhmëri dhe duhet të ecë përpara.
“Ne nuk jemi kundër bashkimit apo shkrirjes së Universitetit të Evropës-Juglindore me Universitetin “Nënë Tereza”. Ne punojmë që të përparojë universiteti më i ri në gjuhën shqipe. Ky universitet ka autonomi të plotë, nëse ka kuadro të mira e të fuqishme, ka lirinë që të themelojë edhe drejtime e katedra për pasurimin e Uraniumit. Por ne fillimisht kemi kriju degët e inzhinierisë dhe degët sociale edhe atë me 5 fakultete. Ky universitet nuk është themeluar për të bërë eksperimente, por për t’u kthyer në vlerë kombëtare.”
Ndërkohë një student tjetër pyeti kryetarin e partisë z.Ahmetin, nëse në të ardhmen vendimet do të vazhdojnë të merren me konsenzus ose kjo do të bëhet me ndryshim të kushtetutës apo me marrëveshje mes politikanëve? Z.Ahmeti kishte përgjigje të shkurtër.
“Ne nuk jemi njëjtë sikur para 20 viteve. Ne duhet të jemi të përparuar në këtë shoqëri. Përse kandidati për president mos të flasë shqip kur çdo i dyti qytetar flet shqip në vend. Pse ai mos të bëjë fushatë edhe në Zajaz e Likovë, e jo ne t’i themi hajde në shtëpinë tonë. Ne nuk jemi cinik, por jemi realist, vendit i duhet konsenzus për të funksionuar, pasi kështu rritet lojaliteti i shqiptarëve ndaj shtetit.
Z.Ahmeti gjithashtu para studentëve tha se ai nuk ka hyrë në politikë për t’u bërë biznesmen, por ka hyrë edhe atë bashkë me bashkëpunëtorët e tij që të realizojë idealet e shqiptarëve. Z.Ahmeti gjithashtu u premtoi studentëve se buxheti i shtetit që është bërë tash e 8 vite, ekskluzivisht është miratuar përmes konsenzusit.
“Ne deri më 11 dhjetor jemi BDI dhe do të tentojmë të shembim të gjitha partitë, por prej datëa 12 dhjetor ne jemi përfaqësues legjitim të të gjithë shqiptarët. Ka forca politike tek maqedonasit që duan ta vënë në pikëpyetje Marrëveshje e Ohrit, por nuk munden pasi edhe këtu u nevojitet konsenzus. Këtë mund të bëjnë vetëm nëse arrihet marrëveshje mes maqedonaseve dhe shqiptarëve. Jan mbi 600 ligje, kapituj, shtylla që votohen me parimin e badinterit dhe pa pajtueshmëri mes partnerëve të koalicionit ato ligje nuk mund të kalojnë, edhe aty duhet konsenzus.
Gjatë prezantimit të një pjesë të programit që ka të bëjë me zyrtarizimin e gjuhës shqipe para studentëve të Komunës së Haraçinës, bashkë kryetarin Ali Ahmeti, prezent ishin edhe të gjithë ministrat e BDI-së të cilët z.Ahmeti i morri si shembull se në vend ka ardhmëri edhe për të rinjtë.