Ahmeti me varrimin e mbetjeve mortore të 300 shqiptarëve, hap një kërkesë tjetër nga Platforma shqiptare

Në Qendrën Përkujtimore “Nëna Shqiptare” në Zajaz të Kërçovës, nesër do të varrosen mbetjet mortore të viktimave shqiptare nga viti 1913 e deri te Lufta e Dytë Botërore. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili është organizator i varrimit, do t’u drejtohet të pranishmëve dhe me këtë do ta fillojë realizimin e një çështjeje tjetër nga Platforma shqiptare – dënim për gjenocidin e kryer ndaj popullit shqiptar në Maqedoni.

Mariela Trajkovska

Pikërisht kjo pjesë e Platformës shqiptare, shkaktoi reagime të ashpra dhe ndarje në opinionin politik dhe shoqëror në Maqedoni. Në këtë platformë, pas së cilës qëndruan pothuajse të gjitha partitë e shqiptarëve, kërkohet që Kuvendi të miratojë një Rezolutë me të cilën do të dënohet gjenocidi i bërë ndaj popullit shqiptar në Maqedoni në periudhë 1912-1956.

Nga BDI-ja, për “Post.mk” konfirmojnë se Ahmeti me këtë hap të tij, pret që të hapet debat për atë pjesë të Platformës shqiptare.

Rezoluta për gjenocid ndaj shqiptarëve, shkaktoi ndarje edhe midis politikanëve, por edhe mes historianëve. Historianët shqiptarë e përshëndetën iniciativën, por duke vërejtur se krijuesit e platformës nuk i kanë marrë parasysh faktet historike për periudhën e caktuar. Sipas tyre, nga viti 1912 deri në vitin 1956, komuniteti shqiptar ka qenë nën regjime të ndryshime dhe për këtë arsye duhet të përcaktohet saktë për sundimin e kujt do të bëhet fjalë në Rezolutën, respektivisht nevojitet të sqarohet se cilat regjime kanë kryer gjenocid ndaj popullit shqiptar.

Nga ana tjetër, sipas historianëve maqedonas, miratimi i kësaj Rezolute do të ishte i palogjikshëm, pasi në periudhën 1912-1956, shteti i Maqedonisë nuk ka ekzistuar. Prandaj, siç thonë ata, nuk ka kuptim që Kuvendi të kërkojë falje, respektivisht të dënojë diçka për të cilën shteti nuk është përgjegjës.

Para formimit të Qeverisë, LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja, dolën me qëndrime të ndryshime lidhur me Rezolutën për gjenocid ndaj shqiptarëve. Nënkryetarja e atëhershme e LSDM-së, Radmila Shekerinska, tha se do të pranonin një Rezolutë e cila do t’i dënonte vuajtjet e qytetarëve, respektivisht të popullsisë civile para Luftës së Dytë Botërore.

Sipas saj, koncepti i cili tregon se të gjithë kemi vuajtur bashkë, se luftërat dhe ndarjet i kanë sjellë vetëm të keqen vendit dhe qytetarëve të saj, do të miratohet me konsensus në Kuvend.

Sipas kësaj, për LSDM-në është e pranueshme që të dënohen vuajtjet e të gjithë qytetarëve të asaj periudhe, e jo vetëm të shqiptarëve.

VMRO-DPMNE-ja tërësisht e hodhi poshtë Platformën shqiptare, kurse lidhur me Rezolutën tha se miratimi i saj në Kuvend do të thotë se “LSDM-ja dëshiron t’i dënojë luftëtarët e KAÇKM-së dhe partizanët për luftën e tyre për një shtet të lirë”.

Me varrimin e nesërme të mbetjeve mortore të viktimave, BDI-ja do ta plotësojë misionin për ndërtimin e Qendrës Përkujtimore “Nëna Shqiptare” dhe do të fillojë edhe misioni politik i Ahmetit – Kuvendi përmes Rezolutës të kërkojë falje dhe ta dënojë gjenocidin.

Musli Musliu, nga Ekipi koordinues për zhvarrosjen e mbetjeve mortore, për “Post.mk”, zbuloi se nesër do të varrosen mbetjet e rreth 300 personave, të cilët para më shumë se një viti u zhvarrosën nga dy lokacione në zonën e shtëpive të familjeve të Ahmetit, në fshatin Zajaz.

-Në dy varre do të varrosen eshtrat e rreth 300 personave, që i gjetëm në pusin në oborrin e vëllait të Ahmetit dhe te gardhi. Do të varrosen edhe pesë trupa, katër prej të cilëve u vranë në vitin 1945 dhe një në vitin 1914, thotë Musliu.

Qendra Përkujtimore “Nëna Shqiptare” u hap në vitin 2013. Ajo u ndërtua në kujtim të rreth 500 shqiptarëve të këtij rajoni, të cilët kanë zhdukur gjatë Luftës së Dytë Ballkanike dhe për të cilët dyshohet se ishin vrarë nga forcat serbe.