Ahmetit: “Ne luftuam edhe për ata që na shajnë dhe ofendojnë”

Nëpër media dhe rrjete sociale ka marrë dhenë deklarata e djeshme madhështore e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili mbrëmë duke folur para banorëve të Çairit, tha se nga misioni historik i pasardhësve të UÇK-së, do të kenë dobi edhe kundërshtarët më ashpër politik, pra edhe ata që sot vazhdojnë ta shajnë dhe ofendojnë.

“Ne na duhet bashkimi. Ne sot jemi më të fortë se kurrë. Sot, pavarësisht se ju më nderuat si kryetar, unë tani do të flas si shqiptar, si bashkëqytetar i juaji. Sot, unë flas si shqiptar, sot i drejtohem kombit mbarë, bashkohuni se ky do të jetë mandat vendimtar për të vazhduar misionin tonë nga i cili dobi do të kenë edhe ata që na shajnë”, tha Ahmeti.

“Zemra jonë rreh si gjaku i paraardhësve të kombit tonë. Ne ishim ata që luftuam edhe për ata që na shajnë dhe ofendojnë. I thërrasim të gjithë ata që kanë sado pak vëmendje, le të vijnë pas misionarëve, pasi ky mandat kërkon njerëz të guximshëm”, u shpreh lideri i BDI-së dhe bartësi i listës për njësinë 6, Ali Ahmeti.

Prania ish-liderit të UÇK-së, kudo pritet me admirim të madh në të gjitha vendbanimet shqiptare, si një sinjal i fuqishëm për fitoren plebishitare të BDI-së më 11 dhjetor.