Aksidentohet makina e policisë, vdes polici 27-vjeçar në Devoll

Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur pranë fshatit Fitore të Devollit, ku një makinë me targa policie Mitsubishi Policia 0305 ka dalë nga rruga. Për pasojë ka humbur jetën polici Lorent Duli 27 vjeç dhe janë plagosur tre të tjerë. Këta të fundit ndodhen në spital për të marrë ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Punonjësit e policisë në momentin kur ka ndodhur ngjarja, kishin përfunduar së kryeri kontroll territori mbi parandalimin e kultivimit të lëndëve narkotike, në zonat e Devollit të Sipërm dhe po ktheheshin nga shërbimi.

Shkaku paraprak i aksidentit dyshohet të ketë qenë humbja e kontrollit nga ana e drejtuesit, punonjësit i cili humbi jetën.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.