AKTAKUZË KUNDËR SHUKRI BUJËS

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një ish-kryetari të komunës së Lipjanit, tetë zyrtarëve të saj, si dhe një ndërtuesi.

Insajderi merr vesh se bëhet fjalë për Shukri Bujën, i cili ka qenë kryetar i Komunës së Lipjanit dhe zyrtar i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës.

Avokati i Bujës, Bahri Troshupa, ka thënë për Insajderin se nuk është i njoftuar për këtë aktakuzë.

Prokuroria Speciale e Kosovës këtë aktakuzë e ka ngritur kundër personave, një ish-kryetari të komunës, tetë zyrtarëve të saj dhe një ndërtuesi. Gazeta merr vesh se ndërtuesi është Fahri Retkoceri.

Këta akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtarë, ku kanë tejkaluar autorizimet e tyre, gjithnjë me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete apo për të tjerët dhe me këtë duke i shkaktuar dëm tani të dëmtuarave: komunës në fjalë dhe ndërmarrjeve shoqërore nën menaxhimin e AKP-së, në atë mënyrë që duke vepruar në bashkëkryerje me dashje direkte, në mënyrë të kundërligjshme, kanë nxjerrë vendime, me të cilat fillimisht kanë eksproprijuar dhe më pas kanë tjetërsuar pronat shoqërore dhe pronat komunale, me qëllim të eksploatimit të xehejes së nikelit. Të njëjtit akuzohen edhe për një varg shkeljesh dhe keqpërdorimesh tjera të kryera me dashje, të përshkruara si në aktakuzë./Insajderi.com