Aktivistët e Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane apelojnë që të bashkohen LR-PDSH dhe Lëvizja BESA

Aktivistë të Ligës Qytetare Shqiptaro- Amerikane përmes një letre publike nga SHBA i bëjnë thirrje LR-PDSH dhe Lëvizjes BESA që të bëhen bashkë, për shkak se është momenti historik dhe vendimtar për shqiptarët në Maqedoni. Ata këtë e kanë theksuar përmes një emaili drejtuar INA, ku siç thuhet ky apel del nga një mbledhje e përbashkët e mbajtur në Nju Jork.

“Në një mbledhje urgjente duke parë përçarjen e partive shqiptare në Maqedoni, shprehëm shqetësimet tona dhe jemi të indinjuar thellë se përse nuk ndodhi bashkëpunimi dhe dalja e përbashkët e LR-PDSH, Lëvizjes BESA dhe partive tjera opozitare në një koalicion të zgjeruar shqiptar. Sepse ky është momenti vendimtar dhe historik për të qenë bashkë dhe për të arritur synimin e avancimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni”, theksohet në komunikatë.

LQSHA vlerëson se parashikimet e tyre kanë qenë se do të ketë bashkëpunim të tillë në momentet e fundit, por për fat të keq kjo nuk ndodhi.

“Në emër të të gjithë atyre që u flijuan për çështjen tonë të pazgjidhur kombëtare, në emër të sakrificës kombëtare, ju lutemi tejkaloni dallimet dhe interesat e ngushta personale, grupore e partiake dhe bëhuni bashkë, dilni me listë të përbashkët. Është momenti fundit dhe vendimtar për të artikuluar kërkesat për zgjidhjen dhe avancimin e çështjes shqiptare në Maqedoni. Sepse përndryshe të vetëm do të jetë vështirë. Ne jemi pranë jush dhe kemi edhe miqtë tanë që e duan këtë. Por janë orët e fundit, ku ju duhet të mendoni për të ardhmen e fëmijëve tanë, për të burgosurit që po dergjen burgjeve, familjet e tyre dhe familjet skamnore”, theksojnë nga LQSHA.

Në fund thuhet se ekziston një shpresë se do të mbizotërojë arsyeja dhe përmes një nisme vëllazërore fisnike të mbretërojë urtësia dhe këto parti të bëhen bashkë.(INA)