Aktori turk emocionin Almedën: Të marrësh vajzë nga Shqipëria është si të këpusësh trëndafil nga parajsa

Aktori i famshëm turk nuk humbet asnjë moment për ta bërë të lumtur të fejuarën e tij shqiptare. Edhe teksa linin Turqinë për të fluturuar drejtë Amerikës, ku edhe do të organizojnë dasmën, Tolgahan Sayisman i ka kujtuar Almeda Abazit se sa e veçantë është ajo për të.

“Një fjalë e urtë shqiptare thotë: Të marrësh vajzë nga Shqipëria është si të këpusësh trëndafil nga parajsa,” tha Tolgahan, duke shtuar se “po marrim nuse nga Shqipëria dhe po bashkojmë popujt tanë.”

Ndërkohë, Almeda e cila nuk e fshihte lumturinë për asnjë moment tha se “surprizat e Tolgahanit nuk mbarojnë. Unë kujtoja se do të festonim ditëlindjen, por po shkojmë për t’u martuar. Jam shumë e lumtur.”

Tolgahan dhe Almeda u fejuan në muajin Nëntor, teksa më pas aktori i famshëm turk vendosi ta surprizojë Almedën duke e çuar drejt altarit në datën e lindjes, më 13 Shkurt.

Teksa u përgjigjej gazetarëve në Aeroportin e Stambollit, Tolgahan tha se “Dashuria jonë mori zjarr në Amerikë, tani po shkojmë të martohemi atje që këtë dashuri ta vendosim në themele më të sigurta.”

“Miqtë tanë atje dhe këtu dëshirojnë ta shikojnë ditën tonë të lumtur, do të organizojmë festë edhe atje edhe këtu.”

Sa i përket muajit të mjaltit, Tolgahan tha se është surprizë për Almedën dhe nuk mund ta thoshte për momentin. Almeda shoqërohej në udhëtim edhe nga vjehrri dhe vjehrra.

Almeda Abazi, e cila ka lindur në vitin 1992 në Shqipëri, është zgjedhur Miss Albania dhe Miss Globe në vitin 2008. Më pas ajo është zhvendosur në Turqi, ku ka marrë mësime aktrimi dhe përveç të tjerash ka luajtur edhe në telenovelën “Sulejmani i Madhërishëm”.

Në Dhjetor 2015, Almeda ka prezantuar “Këngën Magjike”, së bashku me Ardit Gjebrean.

I dashuri i saj, Tolgahan Sayisman është një prej aktorëve më të pashëm dhe më të paguar turq. Abazi dhe Sayizman cilësohen si një prej çifteve më të bukura në Turqi dhe janë gjithnjë në vëmendjen e medias.