Albin Kurti: e kam përkrahjen e ambasadorëve për Qeverinë!

epa06012098 Albin Kurti, parliamentary elections Prime Minister candidate and founder of the biggest opposition party Selfdetermination (Vetevendosje) attends an electoral rally in Mitrovica, Kosovo, 05 June 2017. Kosovo's early elections will be held on 11 June 2017. EPA/VALDRIN XHEMAJ

Kandidati i “Vetëvendosjes” për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se edhe ambasadorët e rëndësishëm ndërkombëtarë në Kosovë ia kanë ofruar mbështetjen e tyre nëse i kanë numrat e nevojshëm për ta bërë Qeverinë.

Sipas tij, diskrecioni i presidentit Thaçit nuk është aq i rëndësishëm sa të dalë kundër votës së popullit, kundër shumicës në Kuvend dhe kundër ndërkombëtarëve

Ai në një intervistë për “Zërin” ka deklaruar se përmes zgjedhjeve të fundit populli tregoi se e do një qeverisje nga LVV-ja, mbështetjen ndaj së cilës e kanë konfirmuar edhe ambasadat kryesore të huaja në Prishtinë. Në të kundërtën, Kosova rrezikon të qeveriset nga PAN-i, i varur nga Lista Serbe dhe nga Beogradi, e ku rreziqet do të ishin të paditura dhe të papritura.

Megjithatë, kandidati i lëvizjes “Vetëvendosje” për kryeministër thotë se kjo do të ndodhte vetëm përkohësisht, sepse “Vetëvendosja” tani ka fuqi të mjaftueshme për ta ndalur “PDK-në e vogël”, siç e quan ai dhe për t’u bërë gati për zgjedhje të shpejta.

E nëse do të kishte sërish zgjedhje të reja, sipas Kurtit, “Vetëvendosja” do të dilte me mbi 40 deputetë. “Këtë e dinë edhe subjektet e tjera, prandaj po përpiqen medoemos të shmangin përsëritjen e zgjedhjeve”, ka thënë ai.

Më tej, Kurti ka thënë se aktualisht Kosova i ka vetëm dy opsione. “Të lejohet udhëheqja e PDK-së dhe SHIK-u që ta vazhdojnë plaçkitjen dhe kapjen e shtetit, apo të ndalet përfundimisht kjo gjë, me një qeverisje të Lëvizjes që do të punonte për krijimin e shtetit të së drejtës”, ka thënë ai.