Albin Kurti mund të arrestohet

 

Policia e Kosovës ka treguar për KALLXO.com se ka urdhër për ta arrestuar Albin Kurtin.

Deputeti dhe ish-lideri i “Vetëvendosjes” Albin Kurti mund të arrestohet nga policia, pasi për të ka urdhërarrest.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Bajram Krasniqi tha për KALLXO.com se “policia do ta vlerësojë situatën se a do të arrestohet Kurti gjatë ditës së sotme nëse shihet në Kuvend”.

Burime të Gjykatës Themelore në Prishtinë i thanë KALLXO.com se urdhërarresti për Albin Kurtin është gjithëpërfshirës dhe ai mund të arrestohet në çdo moment.

Sipas gazetarëve të KALLXO.com në Kuvend, Albin Kurti ende nuk është i pranishëm.

Zëdhënësi i “Vetëvendosjes” Shkodran Hoti, tha se Kurti do të marrë pjesë në mbledhjen e Kuvendit në lidhje me mocionin e mosbesimit.

“Kurti ka me qenë në Kuvend të paktën kështu ka thënë, por nuk e di, nuk jam i informuar nëse ka arritur në ambientet e Kuvendit” tha Hoti.

I pyetur se ku aktualisht ndodhet Kurti, zëdhënësi Hoti tha se ai është në Prishtinë.

“Nëpër Prishtinë, nuk ka ku të shkojë, s’ka çka të mbajë fshehtë”, tha Hoti.

Urdhër-arrestin për Albin Kurtin e lëshoi gjyqtari Beqir Kalludra më 21 prill, pasi Kurti nuk mori pjesë në seancën e gjykimit për lotsjellësin në Kuvend, ku akuzohen bashkë me të edhe tre deputetë tjerë të “Vetëvendosjes”.