Aleanca për shqiptarë tërhiqet nga gara për Komunën e Bërvenicës

Aleanca për shqiptarët në vigjilje të zgjedhjeve lokale që duhet të mbahen më 15 tetor, ka vendosur që ta largojë nga gara kandidatin e tyre për kryetar, Nasuf Sinani, për të mundësuar që nga gara fitues të del kandidat shqiptarë, shkruan Telegrafi Maqedoni.

“Garimi i më shumë kandidatëve shqiptarë në zgjedhjet lokale të komunës së Brvenicës, do të bënin të paqartë epilogun final të garës zgjedhore, duke rrezikuar humbjen e shqiptarëve në këtë komunë.”

”Aleanca për Shqiptarët, duke mos dashur që të ndodh një humbje kauzale e shqiptarëve, veproi kombëtarisht duke tërhequr nga gara elektorale kandidatin për kryetar komune, Nasuf Sinani. Me këtë rast, falenderojmë publikisht aktin e lartë moral dhe patriotik të Sinani, i cili dha prova të pamohueshme që është i gatshëm të flijohet atëherë kur “s’lëshojnë pe” dy kundër-kandidatët e tij, Enver Pajaziti (dikur BDI) dhe Selatin Jusufi (Lëvizja Besa).”

”Ne, Aleanca për Shqiptarët, dëshmojmë në vepër që kur e do koha, jemi të gatshëm të sakrifikojmë interesat partiake për ato kombëtare. Ne nuk harrojmë që ‘partia është e përkohëshme, ndërsa interesi kombëtar dhe vendlindja jonë është e përjetëshme’. Kolltuku i të parit të komunës, nuk është më i rëndësishëm se sa mirëqenia dhe standardi jetësor i bashkëvendasve tanë, prandaj kësaj rradhe do të veprojmë me konstruktivitet, duke ju lëshuar rrugë BDI-së, PDSH-së dhe Besës, por nga ana tjetër do të zhvillojmë betejë të fuqishme në kuvendin komunal për realizimin e programit zgjedhor të Aleancës për Shqiptarët”. thuhet në komunikatën e ASH-së.