“Aleanca për shqiptarët” apelon të bojkotohen të gjithë analistët ksenofob, albanofob, racist dhe nxitës të urrejtjes

 

Aleanca për shqiptarët ka shprehur zhgënjimin e thellë nga raportimi i medieve të nxitjes së urrejtjes dhe dhunës ndaj shqiptarëve.

“Aleanca për shqiptarët” shpreh zhgënjim të thellë ndaj raportimit mediokër dhe nxitës të rrjetit mediatik të deridjeshëm qeveritar, lidhur me procesin e negociatave dhe ndryshimeve rrënjësore që parashtrojnë shqiptarët. Raportimet e tipit “na morën shtetin”, “do ta ndajnë Maqedoninë”, “nuk e japim flamurin”, “erdhi koha e hakmarrjes”, nuk janë derivat i Platformës së përbashkët të partive politike shqiptare, por janë fraza manipulative të një pushteti rrënjësisht të korruptuar dhe mafioz, që ka për qëllim varfërimin e mëtejshëm të qytetarëve të saj dhe eksploatimin e plotë ekonomik.

Apelojmë të gjithë mediat, ato shqiptare dhe maqedonase, të bojkotojnë eksponentët “qytetar” dhe “analistët” të cilët janë të njohur për opinionin si ksenofob, albanofob, racist dhe nxitës të urrejtjes ndër-etnike me qëllim pamundësimin për ti kontribuuar përshkallëzimit të situatës.

Për hirë të së vërtetës, “Aleanca për shqiptarët” iu drejton apel të veçantë të gjithë mercenarëve “politik, qeveritar dhe mediatik” që të lexojnë me kujdes “Platformën e përbashkët shqiptare” dhe të binden se të gjitha kushtet e vëna nga partitë shqiptare janë derivat i: Konventave ndërkombëtare për të drejtat elementare, Raportit të Pribesë, Komisionit të Venecias dhe Progres-Raportit të Bashkimit Evropian.

Nuk kemi alternativë tjetër përveç se të plotësojmë standardet e kërkuara nga institucionet e lartpërmendura.

Në zgjedhjet e Dhjetorit 2016, sovrani u përcaktua qartazi për barazi të plotë mes komuniteteve, vendosje të vlerave të demokracisë, dekriminalizimit shoqëroro-politik dhe orientim drejt integrimit euro-atlantik.”, thuhet në kumtesën e Aleancës për shqiptarët.