Aleanca për Shqiptarët: Shqiptarët kanë qenë dhe mbesin me Evropën dhe Amerikën

“Deklarata e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë lidhur me zhvillimet e fundit në Maqedoni, paraqet një tentim për ta ndërruar diskursin dhe orientimin politik të Maqedonisë, dhe në anën tjetër mbajtjen pezull të vendit në strukturat euro-atlantike, duke e mbështetur binomin VMRO-BDI”, kanë thënë nga Aleanca për Shqiptarët.

“Akuzat se shtetet e perëndimore kanë ndikim ne politikën e Maqedonisë, janë tendencioze dhe aspak të vërteta, përkundrazi shtetet perëndimore që janë pjesë e BE-së e kanë për obligim që ta ndjekin procesin politik të vendit ngase Maqedonia është e përcaktuar për integrimin e saj ne BE dhe NATO”, thuhet në reagimin e koalicionit mes partive LR-PDSH, UNITETI dhe RDK.

Aleanca për Shqiptarët këtë deklaratë e cilëson si ndërhyrje politike në përcaktimet ideologjike dhe strategjike te qytetarëve të saj, dhe kthimin e bindjeve hermetike ndaj harmonizimit të politikave integruese në gjendjen vendnumëro.

“Rikujtojmë opinionin se shqiptarët e Maqedonisë, aspak nuk kanë nevojë që shteti Rus ta lexojë verdiktin e tyre politik e aq më pak të japë vlerësime se kush duhet ta krijojë Qeverinë.

Shqiptarët e Maqedonisë, fuqishëm besojnë në misionin dhe qëllimin e Bashkimit Evropian duke kontribuar në vazhdimësi për t’u bërë pjesë e saj, njëkohësisht anëtarësimi në NATO, ngelet pikësynim dhe aspiratë e përhershme e shqiptarëve të Maqedonisë.

Andaj, mbështetja ruse ndaj pushtetit aktual është tendencioze, për të cilën gjykojmë se thellon krizën dhe nuk kontribuon në kthimin e demokracisë perëndimore“, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.