Aleksandri ose Leka i Madh: Unë jam Ilir! May 8, 2017 145 0

 

Riqarkullon në median shqiptare zbulimi i bërë nga studiuesja e shquar italiane Lucia Nadin në vitin 1997 – një testament i Aleksandrit të Madh në të cilin ai i drejtohet popullit të Shkodrës duke ua dhënë atyre një territor në administrim dhe duke iu drejtuar si “pinjoll i farës së ilirëve”

Dokumenti është ribotuar sot nga disa media shqiptare por lajmi është i vjetër. Studiuesja Lucia Nadin e ka bërë zbulimin në vitin 1997, në Muzeun Correr të Venedikut, ku gjeti “Statutet e Qytet Komunës së Shkodrës” të shek XIV-XV.
Agron Lluka e ka gjetur zbulimin të cituar nga studiuesja Nadin në disa ese të saj: L Nadin-L. Za, “Sugli antichi della citta di Scutari”, bot. në “Studiuesit italianë për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare”, Shkodër 1997, f 41-49; “Immagini e documenti della Biblioteca Nazionale Marciana e dalle collezioni del Museo Correr di Venezia”, Tirana 1998, f 75-79, po aty edhe Testamenti lat; L. Fontana, “Bibliografia degli statuti dei comuni dell’Italia superiore”, III (S-Z) Milano-Torino-Roma, 1907, f 101
Për kurreshtjen e lexuesve po sjellim tekstin që i atribuoet Aleksandrit të Madh drejtuar shkodranëve të lashtë:
Unë Aleksandri, bir i Filipit, mbretit të maqedonasve, mishërim i monarkisë, krijues i Perandorisë Greke, biri i Zeusit, bashkëbisedues i Brahamanëve dhe i Pemëve, i diellit dhe hënës, triumfues mbi mbretëritë e Persëve e të Medëve, Zoti i Botës prej ku lind dhe ku perëndon dielli, nga Veriu në Jug, pinjoll i farës së shquar të popujve Ilirikë të Dalmacisë dhe Liburnisë dhe të popujve të tjerë të së njëjtës gjuhë që popullojnë Danubin dhe zonën qendrore të Thrakës, u sjell dashurinë, paqen dhe përshëndetjet e mia dhe të të gjithë atyre që ndjekin sundimin e botës.
Duke qenë se ju gjithmonë me jeni treguar të besës dhe të fortë e të pathyeshëm në betejat e bëra krah meje, ua jap dhe ua dorëzoj juve në zotërim të lirë gjithë hapësirën e Akuilonit e deri në skaj të Italisë së Jugut. Askush tjetër, veç jush, të mos guxojë të vendoset dhe të qëndrojë në ato vende dhe po u gjet ndonjë i huaj, ai do të mund të qëndrojë vetëm si skllavi juaj dhe pasardhësit e tij do të jenë skllevër të pasardhësve tuaj.
U shkrua në Kështjellën e qytetit të Aleksandrisë, themeluar prej meje, buzë lumit madhështor të Nilit, në vitin XII. Me vullnet të perëndive që nderohen në mbretëritë e mia, Zeusit, Marsit, Plutonit dhe Minervës, perëndisë së perëndive. Dëshmitar të këtij akti janë Atleti, logotheti im, dhe 11 princa të tjerë, të cilët unë po i emëroj si trashëgimtarë të mi dhe të të gjithë Botës, meqenëse po vdes pa lënë pasardhës.