ALI AHMETI: Asnjë premtim nuk do mbetet i parealizuar

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ditën e fushatës zgjedhore e nisi përmes një bashkëbisedimi me banorët e Hotlës në Komunën e Likovës.
Z.Ali Ahmeti para këtyre banorëve tha se në BDI qytetarët mund të gjejnë transparencën, urtësinë por dhe përgjegjësinë e lartë, pasi çdo shkronjë e platformës së hartuar nga ekspertë të fushave të ndryshme, do të realizohet me përpikmëri.
“Unë jam përpjekur që të mbjell tek BDI durimin, të dominojë transparenca, urtësia por edhe përgjegjësia e lartë, pasi atë që e shkruajmë duhet t’i dalim Zot. Cilat nga programi i së kaluarës, cilat çështje kanë mbetur pa i realizuar? Është çështja e NATO-së, na thonë se kemi premtuar antarësimin në NATO, e që në fakt nuk e kemi përfunduar, është e vërtet. Por ne kemi punuar, me përkushtim, unë jam angazhuar mjaft me takime brenda rajonit, që të zgjedhim problemin tashmë dy dekada të pazgjidhur. Këtu pengesë serioze është çështja e emrit të shtetit. Unë kam vlerësuar se pa ndihmën e komunitetit ndërkombëtar për të ulur emocionet e për të kthyer racionalitetin nuk ka ecje përpara. Prandaj ky është një mandat shumë i rëndësishëm për të marrë vendime të mëdha, e për të marrë kështu vendime duhet patur guxim”, u shpreh lideri i BDI-së dhe bartës liste për njësinë 6, z.Ali Ahmeti.
Ahmeti gjithashtu para banorëve të Hotlës tha se qytetarët duhet të jenë syqelë se kë do të përkrahin në zgjedhjet e 11 dhjetorit.
“Për t’a parë veten në ekranet televizive, grupe të caktuara, të dashuruara në vetvehte, për të qenë në qendër të opinionit, po dalin me ca fletushka të vogla dhe kërkojnë besueshmërinë e qytetarëve. Disa të tjera, të mëhershëm dalin dhe thonë se ata programin e kanë hartuar para 2-3 viteve, por nuk mendojnë se ai program ka humbur njëherë tashmë dhe duhet të ndryshohet diçka”, deklaroi Ahmeti.
Bartësi i Listës në njësinë zgjedhore numër 2, Ejup Alimi para banorëve tha se BDI kërkon votat e shqiptarëve gjithandej, në veçanti në rajonin e Karadakut pasi zhvillimi dhe mirëqenia e zonës e cila dha aq shumë në vitin 2001, do të realizohet vetëm përmes politikave të BDI-së dhe Ali Ahmetit.
“Do të kisha potencuar se ne jemi këtu para jush që të vazhdojmë me projektet që kemi nisur vitet e kaluara, kemi projektuar të bëjmë lidhjen me shtetin më të ri në Evropë, Republikën e Kosovës, ka qenë një endërr e kahmotshme që ky projekt të finalizohet. Ne jemi këtu të bëjmë edhe lidhjen e nyjes, nga Likova deri në Shkup, ka ngelur edhe faza përfundimtare e cila së shpejti do të përfundojë, ne jemi këtu t’i dalim Zot edhe çdo projekti për të cilin ju mendoni se duhet të realizohet”, deklaroi bartësi i listës në njësin zgjedhore numër 2, z.Ejup Alimi.
Shefi i Shtabit Qëndror, z.Bekim Neziri tha se BDI do të vazhdojë të angazhohet për një përparim mbarëkombëtar ku si shembull mori përparimin në sferën e arsimit dhe zhvillimin e tij ndër vite.
“Nuk duhet të jesh analist të bësh krahasim mes asaj si kemi qenë dhe si jemi. Para se të vijë BDI në pushtet, shqiptarët në shkollë të mesme kishin problem me mësimin në gjuhën amë. Ndërsa sot falë politikave të BDI-së, jo vetëm në Shkup por edhe në qytete tjera, nuk ka shkollë të mesme e cila nuk ka paralele në gjuhën shqipe, nëse aty tregohet interes. Falë po të njëjtave politika, u legalizua një Universitet, ai i Tetovës i cili vazhdon të farkëtojë kuadrot tona më të reja, kurse vetëm para ca muajsh, u inaugurua edhe Universiteti më i ri në gjuhën shqipe, Universiteti Nënë Tereza, u shpreh Shefi i Shtabit Qëndror Zgjedhor, z.Bekim Neziri.
BDI fushatën zgjedhore sot do t’a vazhdojë në Likovë ku do të takohet me  mjekët e kësaj zone si dhe do të takojë edhe familjarë. Tubim do të mbajë edhe në Tearcë me fillim në ora 19.00, kurse në ora 20.00 BDI do të zhvillojë takim me banorët e Drenovecit të Tetovës.