ALI AHMETI: Maqedonia Perëndimore në hartën e investitorëve amerikanë dhe evropian

BDI sonte vazhdoi fushatën zgjedhore në Çellopek të Komunës së Bërvenicës. z.Ali Ahmeti i përcjellë nga Shefi Shtabit Qëndror Zgjedhor, z.Bekim Neziri, para banorëve të kësaj zone prezantuan përbetimet e BDI-së.

Ahmeti para banorëve përmendi edhe nisjen me punë të Zonës së Lirë Ekonomike, ku para disa muajsh filloi të funksionon edhe fabrika e parë në të cilën tashmë ekzistencën e sigurojnë mbi 500 familje.

“Qëllimi jonë kryesor ka qenë se si zonën e Maqedonisë Perëndimore të heqim prej zonave të verdha, e cila ka parqitur rrezik për investitorët, pra fillimisht është punuar, 5-6 vite me radhë që të bindet opinioni evropian dhe amerikan se këto zona nuk janë më zona të rrezikshme për të investuar dhe që koha e luftës tashmë ka përfunduar”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së dhe bartës i listës zgjedhore në njësinë numër 6.

Z.Ahmeti para banorëve të Çellopekut u zotua se partia të cilën ai udhëheq, pas arritjeve për përfshirje më të madhe të shqiptarëve, gjatë mandatit të rradhës do të angazhohet për rritjen e cilësisë në të gjitha sferat e arsimit.

“Universiteti i Tetovës është një tempull, ku kemi 20 mijë studentë aty, tashmë kemi hapur edhe universitetin e dytë në Shkup. Ne jemi të përqëndruar tek arsimi. Ne kemi nevojë edhe për shkolla të mesme profesionale, pasi fabrika do të hapen, por pa këto shkolla, ato nuk do të mbushen me punëtor”, u shpreh z.Ahmeti.