ALI AHMETI: Maqedonia Perëndimore në hartën e investitorëve amerikanë dhe evropianë

Bashkimi Demokratik për Integrim përmbylli aktivitetet ditore të fushatës zgjedhore në Tetovë. Në Pallatin e Kulturës njëherësh u promovuan kandidatët e njësisë zgjedhore numër 6.
Lideri Ali Ahmeti para një numri të madh të banorëve të qytetit të dy universiteteve në gjuhën shqipe tha se BDI do të vazhdojë të qëndrojë e palëkundur në bindjet e saj dhe përbetimeve në të mirën e qytetarëve shqiptarë.
Ahmeti gjithashtu tha se ky do të jetë një mandat që kërkon kapacitete në të gjitha fushat, sidomos në ndërtimin e politikave dhe tejkalimin e problemeve që nuk kanë kohë për të pritur.
“Ky vend duhet njëherë e përgjithmon t’i zgjidhë problemet me fqinjët, pasi as në hasmëri e as në probleme të pazgjidhura, neve nuk na krijojnë mundësi e hapësirë për zhvillim e prosperitet, pasi jemi prapa vendeve të zhvilluara, prandaj për të materializuar këto çështje të mëdha, siç është çështja e emrit, statusi i gjuhës shqipe, pavarësisht avancimit që është bërë, për t’u përmbyllur këta kapituj që përmenda, duhet patur në rradhë të parë guxim, tani njohuri, tani përgatitje të fuqishme për debat dhe përplasje, por përplasje jo të armatosur, por intelektuale e shkencore dhe në fund duhet pritur triumfi. Këto çështje të mëdha nga axhami asesi që nuk bëhen, por bëhen nga misionarë, njerëz të cilët i gjenë vetëm në BDI, njerëz që dinë më së miri të mbrojnë kauzën kombëtare”, deklaroi kryetari i BDI-së dhe bartës i listës në njësinë zgjedhore numër 6, z.Ali Ahmeti.
Ahmeti gjithashtu para banorëve të Tetovës tha se brenda rradhëve të BDI-së janë rreshtuar misionarët, atdhetarët, brenda BDI-së janë edhe ata që kanë ndërtuar vepra e të cilat i gëzojnë jo vetëm ata që janë prezent në këtë sallë, por i gjithë populli shqiptar.
“Misioni ynë vazhon. Ne do të vazhdojmë të gjithë bashkë, unë nuk dyshoj në fitoren e rradhës. Me kalimin e kohës BDI veç që organizohet edhe më mirë, BDI ka lindur nga njerëz që kanë dhënë shumë ndër gjenerata, prandaj i ngjan ANTEUT sa herë prek tokën, sa herë që organizohen cikle zgjedhore del më e fuqishme”, u shpreh Ahmeti.
Shefi i Shtabit Qëndror Zgjedhor, z.Bekim Neziri tha se BDI në krye me Ali Ahmetin ka përkrahjen e popullit shqiptar dhe në zgjedhjet e 11 dhjetorit.
“Investimi kapital prej 29 milionë euro që do të sigurojë gazin në Maqedoninë Perëndimore është siguruar falë politikave të BDI-së. Investimi kapital që arrin vlerën mbi 17 milionë euro në Kodrën e Diellit gjithashtu është siguruar nga BDI përmes ndërrmarjes publike ELEM.
“Dita shihet nga mëngjesi”, por në politikë thuhet “Nëse dëshiron të dish se si i ke punët në politikë, drejtoi sytë nga Tetova”, d.m.th BDI, me këtë prezencë tuajën në Pallatin e Kulturës, padyshim se do të fitojë bindshëm në zgjedhjet e 11 dhjetorit”, u shpreh Shefi i Shtabit Qëndror Zgjedhor, z.Bekim Neziri.
Nga BDI edhe gjatë tubimit të sotëm në Tetovë përsëritën qëndrimin tashmë të njohur, se të gjithë ata që nuk ia dëshirojnë të mirën popullit shqiptar, dëshirojnë që ne të jemi të përçarë e të ndarë, prandaj shqiptarët duhet të mobilizohen dhe të gjithë bashkë të sfidojmë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2014.