ALI AHMETI me banorët e Shipkovicës, të mos humbim sërish mandate shqiptare

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) bëri sot fushatë në Shipkovicë, Komuna e Tetovës. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti para banorëve të kësaj ane tha se subjekti i tij politik nuk dëshiron të bëjë politikë me eufori, por të qëndrojë racionale pasi para vetes ka detyra të përgjegjësive të larta.

Ahmeti porositi banorët e kësaj ane të Tetovës se këtë herë duhet të jenë të kujdesshëm se për kë do të votojnë, pasi mandati që vjen ka nevojë për forcë politike që do të mund t’u bëjë ballë sfidave të radhës dhe me këtë të tregojmë e të bëhemi më të rëndësishëm edhe para komunitetit ndërkombëtar.

“E gjithë veprimtaria këtu është shkruar në letër dhe këtu është dëshmuar për kulturën, traditën e mikëpritjen shqiptare. Janë befasuar që të gjithë, drejtues më të mëdhenj të NATO-s dhe përfaqësues të ndryshëm politikë me këtë traditë, kur ata përshkruanin madhështinë e shqiptarëve në Shipkovicë, prandaj shqiptarët janë mirënjohës ndaj juve këtu në Shipkovicën e pamposhtur. Janë bërë ca subjekte politike. Në vitin 2011 nga përçarjet e votave humbëm 52 mijë vota, që përkthyer në madate ishte 6 mandate deputetësh të humbura për shqiptarët. Tani në vitin 2016 po na përsëritet edhe më keq ky skenar, me qëllim apo jo, e vërteta është që dëmin shqiptarëve do ua bëjnë”, deklaroi kryetari i BDI-së dhe bartës liste për njësinë 6, z.Ali Ahmeti.

Kandidatja për deputete në njësinë 6, Shpresa Hadri para banorëve të Shipkovicës tha se rezultatet që ka bërë BDI-ja në krye me Ali Ahmetin janë evidente, dhe u zotua se edhe më tej BDI do të vazhdojë të investojë në këtë rajon.

“Ju banorë të Shipkovicës jeni po të njëjtit që keni qenë edhe gjatë kohës së rezistencës së madhe gjatë vitit 2001, jeni të njëjtit që përkrahët dhe falët më të shtrenjtën tuaj për këtë ditë që sot e gëzojmë. Prezenca juaj sonte tregon se votën tuaj e kemi, por ne jemi këtu vetëm me një qëllim, t’ju tregojmë se kemi respekt për këtë anë”, tha Shpresa Hadri, kandidate për deputete e BDI-së për njësinë 6.

Bashkimi Demokratik për Integrim fushatën do t’a vazhdojë në Gostivar, ku në ora 19.00 do të mbahet tubimi qendror në sheshin e qytetit