ALI AHMETI mësuesve: Në duart tuaja është ardhmëria

Karvani i BDI-së në krye me kryetarin z. Ali Ahmeti vazhdoi fushatën zgjedhore në Negotinë të Komunës së Vrapçishtit, ku u takua me punonjës të arsimit.
Gjatë këtij takimi, z. Ahmeti lartësoi punën e mësuesve duke i quajtur ata misionar hyjnorë dhe e ardhme e një kombi.
“Ndjehem i lumtur dhe krenar, që flas tani përpara misionarëve hyjnorë, misioni juaj, veprimtaria juaj, çmohet nga brezat që ju krijoni. Me shumë dashuri i kujtoj mësuesit e mi. Ju trajtoni dhe farkëtoni të ardhmen e një kombi, në duart tuaja është drita e diturisë, është ardhmëria, inxhinierët, mjekët dhe  shkenca”, deklaroi kryetari i BDI-së dhe bartës liste në njësinë zgjedhore numër 6, z. Ali Ahmeti.
Ahmeti para banorëve të Negotinës premtoi ngritjen e pagave për të gjithë punonjësit në arsim. Ai tha se BDI zotohet se do të realizojë këtë premtim.
“Puna e udhëheqësve politik është që të krijojnë kushte, mundësi më të mira për arsimtarët, që ata të mos jenë të varur nga punët shtesë. Pra, duhet të krijojmë standarde edhe më të mira, ashtu siç u ngritën pagat mujore të mjekve për 40 përqind, mos të harrojmë që ata mjek kanë kaluar nëpër duar tuaja, prandaj është interes i kombit që edhe pagat tuaja të rriten. Nëse kërkojmë cilësi duhet mbështetje materiale, por edhe një angazhim më i madh. Unë ju siguroj, ashtu siç luftuam për ngritje të pagave në mjeksi, ku arsimtarët nuk e braktisën vendin, për këtë shkak mbetet obligim i joni, që ne si politikan që jemi, të angazhohemi sa më shumë dhe u siguroj se do të luftojmë më shumë se sa ju që edhe pagat tuaja të rriten”, u shpreh z. Ahmeti.
Banorëve të Negotinës iu drejtua edhe Shefi i Shtabit Qëndror Zgjedhor, z. Bekim Neziri i cili tha se falë politikave të BDI-së, shqiptarët në Maqedoni nga viti 2001, kanë paralele në gjuhë amtare shqipe në të gjitha shkollat e mesme në vend, si dhe tre universitete të cilat tashmë nxjerrin kuadro cilësore shqiptare.
“Para disa muajve, falë BDI-së, u themelua universiteti i dytë shqiptar në Maqedoni. Unë jam i bindur se politikat e BDI-së edhe në të ardhmen do të vazhdojnë me investime për një arsim cilësor, pasi vetëm me kuadro mirë të përgaditura ne mund të arrijmë qëllimin i cili është integrimi në Bashkimin Evropian”, deklaroi Bekim Neziri, Shef i Shtabit Qëndror Zgjedhor.
Para të pranishmëve, përfaqësuesit e BDI-së kërkuan që qytetarët në zgjedhjet e 11-të dhjetorit të votojnë duke bërë dallim mes subjekteve që kanë program konkret dhe atyre që për qëllim kryesor kanë rrënimin e BDI-së dhe asgjë më shumë.