Ali Ahmeti në Çair: Ne ishim ata që luftuam edhe për ata që na shajnë

‘O sa mir me qenë shqiptar o hej’, kështu gjëmonte Komuna e Çairit, zemra e Shkupit të vjetër Dardan ku Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) përmbylli aktivitetet ditore të fushatës dhe nga ku u dërgua një mesazh i fuqishëm uniteti deri tek votuesit shqiptar.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti para një numri të madh banorësh të Çairit tha se BDI duhet përkrahur pasi është forcë e vetme politike që ka lindur nga atdhetarët dhe luftëtarët që deshën lirinë më shumë se vetveten.

“Ne na duhet bashkimi. Ne sot jemi më të fortë se kurrë. Sot, pavarësisht se ju më nderuat si kryetar, unë tani do të flas si shqiptar, si bashkëqytetar i juaji. Sot, unë flas si shqiptar, sot i drejtohem kombit mbarë, bashkohuni se ky do të jetë mandat vendimtar për të vazhduar misionin tonë nga i cili dobi do të kenë edhe ata që na shajnë. Zemra jonë rreh si gjaku i paraardhësve të kombit tonë. Ne ishim ata që luftuam edhe për ata që na shajnë dhe ofendojmë. I thërrasim të gjithë ata që kanë sado pak vëmendje, le të vijnë pas misionarëve, pasi ky mandat kërkon njerëz të guximshëm”, u shpreh lideri i BDI-së dhe bartësi i listës për njësinë 6, Ali Ahmeti.

Bartësi i listës për njësinë 2, Ejup Alimi para banorëve të Çairit tha se BDI është mbrojtësi i vetëm i çështjes shqiptare në Maqedoni.

“Ne e kemi të qartë se zërat që ofendojnë e fyejnë BDI-në vijnë nga kuzhinat antishqiptare. Ne kemi punë më të rëndësishme për të bërë se sa të merremi me ta. Puna jonë është të fokusohemi për një rini të shëndoshë e cila pas 11 dhjetorit do të ngrejë në duar flamurin e fitores. Ne jemi për një zhvillim të barabartë ekonomik të të gjithë shqiparëve në vend. Ne duhet të bëhemi një, të mobilizohemi me qëllim që të kërkojmë votën e shqiptarëve, pasi kësaj radhe BDI duhet të korrë një fitore më bindëse se kurrë, pasi mandati i ardhshëm me vete sjell sfida të reja që duhet të zgjidhen”, tha bartësi i listës për njësinë 2, Ejup Alimi.

Shefi i Shtabit Qendror, z.Bekim Neziri tha se prezenca e numrit të madh të banorëve të Çairit në tubim tregon qartë se përrenjtë e vegjël nuk mund të ndalin lumin që quhet BDI.

“Unë si qytetar shqiptar do të votoj BDI-në me datën 11 dhjetor për disa arsye, pasi ai ktheu dinjitetin e qytetarëve të Çairit, punësoi mbi 3 mijë qytetarë të Çairit. Do të votoj Ali Ahmetin pasi që ëndrrën tonë të Shkupit, Universitetin ‘Nënë Tereza’ e bëri realitet. Nuk do të votojë ata të tjerët pasi ata nuk kanë platformë zgjedhore, pasi që ata dijnë vetëm të shajnë dhe të fyejnë, dënimi i tyre do të vijë me datë 11 dhjetor kur do të shijojnë humbjen nga BDI dhe Ali Ahmeti”, deklaroi Shefi i Shtabi Qendor, Bekim Neziri

z.Ahmeti bashkë me përfaqësuesit e BDI-së rikujtuan të pranishmit në tubim për rëndësinë e mos-përçarjes së votës shqiptare. Qytetarët duhet të jenë syqelë që mos të kontribuojnë në fuqi-ngritjen e qarqeve të dyshimta antishqiptare.