Ali Ahmeti në Gostivar: Ne do vazhdojmë me projektet tona

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në tubimin e sontëm në Gostivar ka thënë se “asesi nuk më shkon mendja që mund të mposht dikush BDI-në, sepse ajo rrënjët i ka të thella, tek vetë historia e kombit”.
“Sabri Godo në një takim në Tetovë tha: Lëreni Ali Ahmetin, pse e shani, pse nuk i keni bërë ju punët që ka bë Ali Ahmeti… Neve na kanë zili, janë çuna të ri, por nuk jemi fajtor dhe ne do vazhdojmë me projektet tona. Imazhi i një kombi ndërtohet duke organizuar procese të besueshme, pra zgjedhjet janë baromoetri më i mirë se në çnivel janë gjërat”, ka thënë Ahmeti.
Po të kishim mbushur kuti nuk do ishim këtu, me dhunë, me forcë nuk rrihet në politikë, pa përkrahje të popullit kot e ke, ka thënë më tej në paraqitjen e tij para qytetarëve të Gostivarit, lideri i BDI-së Ali Ahmeti.
“Nëse duan të punojnë le të bëjnë platforma dhe të garojnë, sepse hakun askush nuk ua han. Ne urojmë që në vendin tonë të ketë alternativa, por ama e kanë tepruar sa, nuk jemi shumë që shqiptarëve t’u tregojmë nga 10 alternativa, shihni në Luginën e Preshëvës, Mal të Zi, sa rijnë në mandate nga një deputet, sepse kështu i duan shqiptarët të ndarë e të përçarë. Populli e di se kush jemi, nuk manipulohet populli. Le të dalin me mend në kokë, platforma sesi ta çojnë këtë shoqëri përpara”, ka thënë Ahmeti.
Nënkryetari i BDI-së Nevzat Bejta ka thënë se zgjedhjet janë festë, sepse tregohen rezultatet e punës që ka bërë BDI, qoftë në nivel lokal ashtu edhe qendror.
“Ne e vërtetojmë veten në zgjedhje me veprat tona, a kemi bërë apo s’kemi bërë punë të mira. Ne si BDI e kemi për obligim të informojmë qytetarët tanë, kemi bërë shumë punë të mira, duhet t’u tregojmë qytëtarëve për punët e mira që ka bë BDI udhëhequr nga Ali Ahmeti”, ka thënë Bejta në tubimin në Gostivar.
“Unë ndjej krenari të madhe që jam pjesë e udhëheqjes së BDI-së në krye me kryetarin tonë Ali Ahmeti. E dimë si ka qenë Gostivari përpara vitit 2002, çfarë vuajtjesh kanë pasur qytetarët përpara 2001, por tani flasim me krenari atë që e dëgjojmë nga qytëtarët e Gostivarit”, ka nënvizuar Bejta, njëherësh kryetar i Gostivarit.
Shefi i shtabit qendror zgjedhor të BDI-së Bekim Neziri në tubimin në Gostivar dha arsyet se pse Gostivari që nga viti 2002 fiton në zgjedhje parlamentare. Ai shtoi se, “përgjigjen e mora nga ajo që me vëmendje e elaboroi kryetari i komunës së Gostivarit mbi me një sërë projektesh që janë realizuar dhe kjo është arsyeja se pse Gostivari nuk njeh humbje”.
“Pas politikave të Ali Ahmetit janë të rreshtuar 15 mijë aktivistë…Kjo sot në Gostivar tregon se BDI ka jo 15 mijë, por mbi 20 mijë aktivistë që janë të gatshëm t’u tregojnë partive tjera se ku e kanë vendin”, ka thënë Neziri.