Ali Ahmeti nga Dibra: BDI, forca që din të mbrojë kauzën shqiptare

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) i përmbylli me një tubim aktivitetet ditore të fushatës në Dibër, në qytetin e vlerave kombëtare. Kryetari Ali Ahmeti para një numri të madh banorësh të zonës tha se BDI duhet përkrahur pasi është forcë që ka lindur nga të gjithë ata atdhetarë që deshën lirinë e vërtetë.
“Ajo që fitohet me gjak, vlera kurrë nuk i humb, asnjëherë. Ata që mendojnë për të shuajtur këtë lëvizje siç është BDI, i bëjnë pazaret pa ‘hanxhi’, pasi rrënjët tona janë në thellësi të tokës dhe pikërisht aty ruhet i freskët edhe gjaku i heronjëve, prandaj le të kthehen mbrapsht, pasi BDI ka qenë dhe mbetet forca më përfaqësuese e që di të mbrojë kauzën shqiptare në këtë vend. BDI është forca që di të përballet edhe me ata të lyer me uthullë e vaj, prandaj duhet të luftojmë të gjithë bashkë, që të ftojmë të gjithë ata që për një moment hezitojnë, le t’i bashkangjiten këtij misioni pasi i bëjnë mirë vetes, tërë proceseve të cilat nuk janë të lehta, më besoni si vëlla i juaji, unë nuk brengosem për një fitore të BDI-së, çështja shtrohet kush do të jetë puna jonë me 12 dhjetor. Para nesh ka një axhendë serioze që do vendime të mëdha”,  deklaroi kryetari i BDI-së dhe bartësi i listës zgjedhore në njësinë zgjedhore numër 6, z.Ali Ahmeti.
Shefi i Shtabit Qëndror, z.Bekim Neziri tha se prezenca e numrit të madh të dibranëve në tubim tregon qartë se përrenjtë e vegjël nuk mund të ndalin lumin që quhet BDI.
“Ky numër tregon qartë se ata që nuk dëshirojnë të shijojnë humbjen me datën 11 dhjetor, le të radhiten pas liderit Ali Ahmeti, ky numër tregon qartë se të ashtuquajturit ’liderçiça’, për të treguar kombëtari, më parë duhet të presin që të kalojë një periudhë e gjatë. Kam përmendur disa herë se 15 mijë aktivistë janë të radhitur pranë BDI-së, nëse kjo sallë sot këtu ka kapacitet prej 1513 aktivistëve, dhe nëse ne kemi 33 degë në nivel republikan, i nderuari kryetar Ali Ahmeti, prapa politikave tuaja janë të rradhitur 33 mijë aktivist, që tregon qartë se ne jemi fitimtarë në zgjedhjet e 11 dhjetorit”, u shpreh Shefi i Shtabit Qëndror, z.Bekim Neziri.
z.Ahmeti bashkë me përfaqësuesit e BDI-së rikujtuan të pranishmit në tubim për rëndësinë e mos-përçarjes së votës shqiptare. Qytetarët duhet të jenë syqelë që mos të kontribuojnë në fuqi-ngritjen e qarqeve të dyshimta antishqiptare.